Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot pritet të nisë konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Takimi konsultativ është paralajmëruar të mbahet në orën 15:00, në kuadër të përpjekjeve për të përcaktuar një datë të pranueshme për të gjitha palët politike.
Një ditë më parë, Haxhiu zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas bisedimeve, Kreshnik Radoniqi deklaroi se 7 qershori konsiderohet si data më e favorshme për organizimin e procesit zgjedhor.
Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar se zgjedhjet mund të mbahen më 31 maj ose 7 qershor.
Për mendimin tonë është 7 qershori, por i mbetet presidentes të vendosë, u shpreh Radoniqi, duke shtuar se data përfundimtare do të caktohet pas përfundimit të konsultimeve.
Po ashtu, nënvizoi nevojën që KQZ-ja të ketë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e procesit zgjedhor, ndërsa buxheti për organizimin e zgjedhjeve pritet të jetë i përafërt me atë të zgjedhjeve të kaluara.



