Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar nisjen e procedurës për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim fillimin e ndryshimeve kushtetuese në vend, informon PressOnline.al
Sipas përfaqësuesit të Frontit Evropian, Blerim Bexheti, nga sot çdo deputet ka mundësinë të përcaktohet qartë nëse është për zhbllokimin e procesit apo për bllokimin e rrugës evropiane të vendit.
“Duke filluar nga sot çdo deputet ka mundësi të përcaktohet qartë për zhbllokimin e procedurës ose për bllokimin e rrugës evropiane”, deklaroi Bexheti.
Në anën tjetër, koalicioni VLEN reagoi ashpër ndaj kësaj nisme, duke e cilësuar atë si joserioze dhe vetësabotuese.
Sipas tyre, iniciativa e BDI-së më shumë i ngjan një “parodie satirike” sesa një përpjekjeje reale për të çuar përpara proceset eurointegruese. VLEN akuzon se përzgjedhja e Bexhetit si zë i kësaj agjende është kontradiktore me vlerat evropiane.
Në reagim, VLEN rikujton se gjatë funksioneve të tij si deputet, kryetar komune dhe ministër i Drejtësisë, Bexheti është shoqëruar me kritika për politizim të gjyqësorit dhe vendime që, sipas tyre, kanë dëmtuar interesat e shqiptarëve dhe imazhin proevropian të vendit.
Koalicioni thekson se nuk do të bëhet pjesë e kësaj nisme, duke shtuar se integrimi në Bashkimi Evropian kërkon qasje serioze dhe të sinqertë, ndërsa qeveria aktuale, sipas tyre, është e fokusuar në zbatimin e Agjendës Reformuese me mbështetje nga Brukseli.(PressOnline.al)



