Një çantë e rrallë Hermes Birkin, e nënshkruar dy herë nga Jane Birkin, pritet të shitet deri në 275 mijë euro në një ankand të organizuar nga Heritage Auctions, ndërsa kërkesa për produkte luksoze të lidhura me figura të famshme po rritet vazhdimisht. Çanta prej lëkure Bleu Marine Courchevel është një nga artikujt kryesore të shitjes së pranverës së artikujve luksozë.
Kjo Birkin është e veçantë jo vetëm për gjendjen dhe origjinën e saj, por edhe për dy nënshkrimet e Jane Birkin. Ajo ka shkruar brenda çantës një dedikim personal për pronaren e parë: “Midori Your Friend Jane”(Midori, shoqja jote Jane), së bashku me një nënshkrim tjetër. Çanta i përkiste më parë Midori Senga, një mike e afërt e Birkin. Vetë Jane Birkin, e cila vdiq në vitin 2023, ishte frymëzimi pas krijimit të çantës ikonike në vitin 1984, pas një takimi të rastësishëm me drejtuesin e Hermes, Jean-Louis Dumas.
Me kalimin e kohës, Hermes Birkin u bë një nga çantat më të njohura dhe më të shtrenjta në botë, me çmime rishitjeje që shpesh tejkalojnë vlerën fillestare të tregut. Së bashku me Birkin, shitja përfshin një gamë çantash luksoze nga Hermes, si dhe nga Chanel dhe Louis Vuitton, me disa artikuj të vlerësuara në dhjetëra mijëra euro.
Çanta origjinale e bërë me porosi për aktoren Jane Birkin, e cila u bë një nga modelet ikonike të shekullit të 20-të, u zbulua për median në Tokio. Kompania japoneze që e prezantoi për publikun, e bleu atë për një shifër rekord prej 10 milionë dollarësh në një ankand në Paris në fillim të këtij viti. Sipas gojëdhënave të modës, çanta e parë Birkin lindi kur aktorja dhe këngëtarja franko-britanike u ul pranë drejtorit ekzekutiv të Hermes, Jean-Louis Dumas, gjatë një fluturimi në vitin 1984 dhe i tha atij se si nënë e re kishte nevojë për një çantë elegante, por funksionale. Dumas menjëherë skicoi çantën drejtkëndëshe, me një hapësirë të dedikuar për shishet e foshnjave. Kompania e bëri atë për të, pastaj filloi t’i shiste publikut versione më të vogla. Dizajni u bë një hit dhe ka ndihmuar në nxitjen e rritjes së markës së modës.



