Afrim Gashi kërkon debat të gjerë para miratimit të ligjit për përfaqësim të drejtë

featured
Press Online
20 Prill 2026, 15:24

“Kanë kaluar 25 vjet që kemi pritur, mund të presim edhe disa javë, vetëm që ligji të jetë cilësor dhe ajo dimensione e Kushtetutës të respektohet me një ligj të mirë”, tha Gashi.

Për ligjin për përfaqësim të drejtë në Kuvend do të diskutojë opinioni profesional para se për të të vendosin deputetët. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në një briefing me gazetarët informoi se do të nxisë një debat të gjerë për zgjidhjen e propozuar ligjore, në mënyrë që të jetë e pranueshme për të gjithë deputetët. Ligji për përfaqësim të drejtë, i cili ende nuk ka hyrë në procedurë parlamentare, ka hasur në kundërshtim të ashpër nga blloku opozitar shqiptar, prandaj është paralajmëruar bllokadë gjatë diskutimit parlamentar për të, informon PressOnline.al

Sipas kryetarit të Kuvendit, pikërisht me një debat të gjerë për propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë duhet të vendoset një praktikë e re parlamentare – që për të gjitha ligjet të ketë dëgjime publike. Dëgjimet publike do t’i organizojnë kryetarët e komisioneve parlamentare, për çka, sipas Gashit, ka pajtim.

“Qëllimi është ta hapim Kuvendin. Kryetarët e komisioneve të organizojnë dëgjime mbikëqyrëse dhe publike, të përfshijnë organizatat joqeveritare dhe të ketë më shumë debat për çdo ligj. Ideja është që asnjë ligj të mos kalojë pa debat. Të gjithë u pajtuan se duhet të ndodhë diçka e tillë në Kuvend dhe tani do të varet nga ata”, tha Gashi, përcjell PressOnline.al

Ai tha se kryetarët e komisioneve do të kenë mbështetje të plotë nga Kabineti dhe shërbimi i Kuvendit për të organizuar dëgjime publike për ligjet. Ligji për përfaqësim të drejtë ende nuk është në procedurë parlamentare.

“Unë do të inicioj të organizohet debat, sepse për herë të parë pas 25 vitesh miratohet një ligj i tillë që nga Marrëveshja Kornizë, përkatësisht ndryshimet kushtetuese, dhe do të ishte mirë ta analizojmë nga të gjitha aspektet. Do të doja një debat të gjerë, shumëdimensional, ekspert, politik, nga çdo aspekt. Të respektohet procedura dhe të shprehet vullneti i deputetëve. Duhet të jemi të hapur, të ketë më shumë “inpute” dhe nëse është e mundur me amendamente ta përmirësojmë ligjin. Ideja është të sjellim një ligj cilësor. Kemi pritur 25 vjet, mund të presim edhe disa javë, vetëm që ligji të jetë cilësor dhe ajo dimensione e Kushtetutës të respektohet me një ligj cilësor”, tha Gashi.

Opozita BDI dhe Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela kanë paralajmëruar se do të propozojnë ligjet e tyre për përfaqësim të drejtë. Sipas tyre, në propozim mungojnë kuotat etnike, nuk ka ndëshkime për institucionet në rast moszbatimi të ligjit dhe nuk ka mekanizëm që do të ndjekë zbatimin e tij. Sipas BDI dhe ASH, propozim-ligji i Qeverisë është regresiv. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter