Adriatik BALLA
Shumë pak sportistë kanë marrë gjatë jetës së tyre dekorata të larta, madje atë më të lartën. Kështu, Lorik Cana u bë një prej tyre, pasi është nderuar me titullin prestigjioz “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Vlerësimi për ish-kapitenin kuqezi u bë gjatë Samitit të Diasporës, i zhvilluar në Tiranë. Pas dekorimit, Cana u shfaq shumë i lumtur, duke thënë se nuk e merr këtë titull në emrin e tij, por në emrin e familjes. “Kur jemi përballë një paneli dhe kemi të mbledhur njerëzit tanë, që kanë spikatur dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ne.
Kemi luajtur me stadiume plot me qindra milionë njerëz që na kanë parë. Unë sot nuk e pranoj vetëm në emrin tim, por në emrin e familjes sime, babait, Agimit, gjyshërve të mi, Ganiut, xhaxhait tim, deri tek të gjithë. Ne kosovarët jemi detyruar të emigrojmë. Në këtë Samit të Diasporës, rikthehem si një shqiptar i Kosovës. Kemi emigruar dhe jemi munduar të bëjmë mirë, jo vetëm për familjarët tanë, por jemi munduar të ngremë sa më shumë nderin dhe emrin e shqiptarëve. Kjo besoj se ka qenë krenaria më e madhe që unë kam përjetuar dhe familjarët e mi. Duke pasur një mjet si futbolli, aty kupton se përgjegjësia është e madhe. Unë kam 10 vite që jam në pension. Kur ia them këtë njerëzve, ata qeshin. Është një jetë e tërë, ku dashuria dhe kontributi për atdheun nuk mungon asnjëherë. Jemi munduar ta ngremë komunitetin tonë”, u shpreh Cana.
Rekordet e Canës
Lorik Cana ka qenë një nga shtyllat e skuadrës përfaqësuese për gati 15 vjet. Ai erdhi në ekipin përfaqësues të Shqipërisë në vitin 2003 dhe luajti për kuqezinjtë deri sa u tërhoq nga futbolli, duke qenë kapiten i Kombëtares që u kualifikua për herë të parë në një finale Europiani, konkretisht në Euro-2016 në Francë. Cana është lojtari i parë që iu afrua shifrës së 100 ndeshjeve me përfaqësuesen, me plot 93 takime të luajtura me fanellën kuqezi, shifër kjo që qëndroi si rekord për gati një dekadë. Këtë shifër e theu mbrojtësi shkodran Elseid Hysaj pak muaj më parë. duke qenë mbrojtës Cana nuk ka shënuar shumë gola në karrierë, por ai ka shënuar gola me vlerë si me Paris San Zhermen, Marsejën, Lacion. Por karrierë ka bërë edhe te Gallatasarai dhe Sandërlendi
Vajzat dardane sukses të madh në kualifikueset e Botërorit
Ndërkohë që Lorik Cana vlerësohet me dekoratën e lartë në Samitin e Diasporës në Tiranë, lojtaret e reja kosovare korrën një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar. Kështu, përfaqësuesja e Kosovës në kategorinë e femrave, po vazhdon me paraqitje fantastike. Vashat “Dardane” kanë arritur fitoren e tretë radhazi në kualifikueset për Kupën e Botës, duke e mposhtur në udhëtim Bullgarinë, me rezultat 3-1. Golat për Kosovën i shënuan Erleta Mehmeti, Blerta Smajli dhe Albulena Fejza. Kosova aktualisht është lidere e Grupit 2, me 9 pikë, e ndjekur nga Kroacia e Bulgaria me nga 3 pikë dhe Gjibraltari me 0 pikë. Ndeshja kthyese kundër Bullgarisë do të zhvillohet të shtunën, më 18 prill 2026, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 18:00.



