Studenti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi thotë se asgjë nuk ka ndryshuar në vend, pas protestës në Shkup për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në një intervistë për ABC News, Ademi u shpreh se do kërkojnë zbatimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet.
“Realisht, asgjë nuk ka ndryshuar saktësisht. Por kemi marrë një përkrahje shumë të madhe nga bashkëatdhetarët tanë edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova, si nga figura politike, publike, si edhe nga qytetarë të thjeshtë. Zbatimi i gjuhës shqipe mungon në vendin tonë, edhe pse jemi popull shtetformues. Kanë kompleks, albanofobi kundrejt gjuhës sonë. Presidenta tha, ka frikë apo është e mërzitur se nëse përkthehet ajo, do humbet në përkthime. Por për atë shqiptarin e Maqedonisë së Veriut, që nuk e di gjuhën maqedonase, ai nuk humb në përkthime në seanca gjyqësore. Ne qenkemi i vetmi vend që ekziston e drejta në gjuhën maqedonase. Jemi duke kërkuar zbatimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet”, theksoi ai.
Kronologjia e ngjarjes
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.



