Debate të forta janë zhvilluar sot në Konferencën e Kryetarëve, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është përplasur me përfaqësues të mazhorancës, përfshirë kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.
Gjatë diskutimeve, Bardhi akuzoi mazhorancën për shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se Parlamenti nuk mund të funksionojë si “tekë” e mazhorancës.
“Me vetëdije ju e keni shkelur Kushtetutën. Dhe jo një herë, por dy herë. Me 8 me 0, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kryetari i Kuvendit e ka hedhur në erë Kushtetutën. Pra, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë për shkarkimin tuaj, por ju e keni rrëzuar atë me votë politike,” tha Bardhi.
Ai shtoi se ndryshimet e rregullores nuk janë emergjente, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbardhur ende.
“Prandaj, ju kërkoj me mirësjellje të bëheni garant i Kushtetutës. Parlamenti nuk mund të jetë tekë,” u shpreh Bardhi.
Debati u zhvendos tek komisionet hetimore për kontratat koncensionare dhe tenderat për ndërtimin e rrugëve. Bardhi kundërshtoi argumentin se këto kontrata janë çështje e drejtësisë dhe nuk mund të trajtohen nga Parlamenti.
“Argumenti se kontratat janë subjekt i drejtësisë dhe se nuk mund të ketë komision hetimor nuk qëndron. Gjykata Kushtetuese, në një vendim të saj të vitit 2014, shprehet se fakti që organet e tjera kushtetuese përmbushin detyrat e veta nuk mund të shërbejë kurrsesi si argument për të refuzuar ushtrimin e detyrave nga Parlamenti. Ne nuk po kërkojmë të bëjmë punën e prokurorisë, por të verifikojmë kontratat, të konstatojmë problematika, qoftë edhe për mënyrën se si funksionojnë institucionet, dhe të bëjmë propozime ligjore. Dhe e përsëris, ju e keni detyrim kushtetues ngritjen e komisioneve hetimore. E vetmja çështje ku ju mund të pretendoni është objekti, formulimi i objektit. Ne jemi të hapur për propozimin tuaj në lidhje me objektin, nëse keni. Por nuk dëgjova që ju keni një formulim alternative”, tha Bardhi.
Ai kritkoi mënyrën se si mazhoranca rrëzon kërkesat e opozitës.
“Nëse kërkesat e opozitës rrëzohen nga urrejtja politike, ky nuk është parlamentarizëm. Prandaj po ju pyes, kryetar, cili është roli i deputetëve, kur ju nuk pranoni as komisione hetimore, as interpelanca, as mocione me debat, as amendamente, as ligje? Cili është roli i opozitës? T’ju bëjë fresk juve?
Na thoni cili është roli ynë. Sepse na thoni “hajde të bashkëpunojmë” dhe “të jemi konstruktivë”, por kur ne e bëjmë këtë, ju rrëzoni gjithçka. Ju, kryetar, jeni garant për funksionimin e Kuvendit. Na keni lexuar një fjalim që na ka prekur, ndërsa sot nuk gjej asnjë çështje që ju, si kryetar, e keni mbrojtur për opozitën”, tha Bardhi.
Në fund, mazhoranca rrëzoi kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.



