Akademia politike në Çair apo kursi për “pallavrat” e Bujar Osmanit!

featured
Press Online
06 Mars 2026, 09:27

Editorial nga PressOnline.al

Sot u hap grupi i dytë i Akademisë Politike të BDI-së në Çair, ku 20 të rinj e të reja u përzgjodhën për të marrë pjesë në një program që, sipas organizatorëve, synon t’i përgatisë për politikë dhe përgjegjësi publike. Ideja në letër është e bukur: një laborator ideash, një hapësirë për të diskutuar dhe mësuar. Por realiteti politik i vendit e bën pyetjen të domosdoshme: Çfarë po mësojnë këta të rinj realisht?

Sepse kur pedagogu kryesor dhe figura më e spikatur e Akademisë është Bujar Osmani, përgjigjja nuk është aspiruese. Osmani ka ndërtuar karrierën e tij mbi një talent të rrallë, të thotë shumë, pa bërë pothuajse asgjë konkrete.

Në dekadat e fundit, Osmani ka qenë ministër, zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, duke lëvizur midis posteve të larta në qeveri. Por kur vjen puna te rezultatet konkrete, ajo që mbetet shpesh është fjalë të bukura dhe premtime boshe.

Gjatë kohës si ministër i Shëndetësisë, ai premtonte “reforma të thella dhe transparente”, por sistemet mbetën të fragmentuara dhe pacientët raportojnë për mungesa bazike në shërbime.

Si ministër i Punëve të Jashtme, deklaratat për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE ishin të shpeshta, por negociatat e vështira shpesh u shoqëruan me fjale diplomatike që fshehin pak progres real.

Në çdo fjalim publik, Osmani e mbushte gojën me terma si “përfshirje”, “transparencë” dhe “përgjegjësi sociale”, ndërsa shumica e vendimeve të rëndësishme gjatë qeverisjes së tij është bë pas dyerve të mbyllura të pushtetit.

Kjo mënyrë të folurit, e njohur nga politikanët e vjetër, ka një efekt të qartë mbi të rinjtë. Ata mësojnë se politika është një lojë fjalësh, jo veprash.

Ndërsa fjalët e Osmanit janë të pasura, veprat shpesh mungojnë. Mediat maqedonase dhe shqiptare kanë raportuar disa episode që e ilustrojnë këtë kontrast:

Samiti i OSBE-së në Shkup: akuza për shpenzime të mëdha dhe mungesë transparence në mbi 120 milionë denarë. Osmani mohoi çdo shkelje, por diskutimet publike ngrenë pikëpyetje mbi menaxhimin e fondeve.

Takimi i mundshëm me ish-kryeministrin e arratisur Nikola Gruevski, një figurë simbol e periudhës më kontestuese të politikës maqedonase. Edhe pse Osmani e minimizoi takimin si “të zakonshëm dhe sekret diplomatik”, apo edhe në paraqitje tjetër duke e mohuar të ketë ndodh, qytetarët e perceptuan si një lojë fjalësh për të fshehur lidhje të dyshimta.

Pra, ndërsa flitet për përgjegjësi dhe transparencë në auditor, realiteti politik tregon një model tjetër – fjalë të mëdha për të mbuluar mungesën e veprimit.

Akademia e Çairit: laborator ideash apo shkollë për pallavra politike?

Pyetja më e rëndësishme është: çfarë po mësojnë këta të rinj?

Nëse Akademia është vetëm një vend ku Osmani dhe kolegët e tij shpalosin deklarata dhe retorikë të bukur, atëherë kjo nuk është edukim politik. Është një kurs intensiv për të folur bukur pa bërë asgjë konkrete.

Të rinjtë nuk kanë nevojë të mësojnë:

Si të shfrytëzosh fjalë të bukura për të krijuar iluzion pushteti

Si të fshehësh mosveprime pas “programit të përfshirjes” dhe “planit të transparencës”

Ata duhet të mësojnë:

Si të krijojnë rezultate reale

Si të jenë transparentë dhe të ndershëm

Si të kenë ndikim të matshëm në jetën e qytetarëve

Por kur pedagogu kryesor është mjeshtri i deklaratave boshe, brezi i ri rrezikon të mësojë më shumë artin e pallavrave se sa artin e politikës reale.

Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut sot përballet me një krizë besimi. Qytetarët kërkojnë liderë të rinj, vizionarë, njerëz që bëjnë ndryshime të prekshme.

Por kur të rinjtë trajnohen nga politikanë që kanë ndërtuar karrierën mbi fjalë të bukura dhe premtime pa mbështetje reale, risia nuk vjen nga akademia, por nga ndryshimi që mungon ende në skenën politike.

Në fund, pyetja mbetet e thjeshtë:

A është Akademia e Çairit një hap drejt liderëve të rinj, apo një laborator i pallavrave politike të Bujar Osmanit?

Nëse përgjigjja është kjo e fundit, atëherë brezi i ri po mëson artin e retorikës, jo artin e veprës. Dhe në politikën reale, fjalët boshe nuk shpëtojnë askënd.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter