Në mitikun San Siro të Milano-s, ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano Cortina u shndërrua në një spektakël ku sporti, arti dhe moda u bashkuan në një gjuhë të vetme vizuale. Vëmendja u përqendrua në një moment të veçantë; një homazh i ndjerë për Giorgio Armanin, stilistin që për dekada mishëroi elegancën italiane dhe që u nda nga jeta vitin e kaluar.
Deri në muajt e fundit të jetës së tij, Giorgio Armani kishte punuar drejtpërdrejt në konceptin artistik të ceremonisë së hapjes, me synimin për të sjellë në një skenë globale atë që ai e quante “elegancë pa kohë”. Për të, sporti dhe moda ishin dy forma të së njëjtës shprehje bashkëkohore, dhe pikërisht kjo ide përshkoi gjithë spektaklin.

Momenti kulmor erdhi me sfilatën trengjyrëshe, një koreografi e kulluar estetike që funksionoi si një përshëndetje solemne për Italinë dhe për vetë Armanin. 60 modele, të veshura me tailleur mannish monokromatikë në ngjyrat e flamurit italian, marshuan në harmoni perfekte. Veshjet, ndër krijimet e fundit të stilistit ishin prej sateni të butë, me linja të rrjedhshme, xhaketa me një kopës dhe pantallona të gjera, të shoqëruara nga mokasina dhe triko me jakë të lartë në të njëjtën ngjyrë.

Një minimalizëm i kontrolluar, që fliste më shumë se çdo fjalë. Sfilata u hap nga Agnese Zogla, muza e hershme e Armanit, ndërsa në mbyllje, si një figurë pothuajse eterike, u shfaq Vittoria Ceretti, e zgjedhur si flamurtarja e mbrëmjes. Ajo mbante një fustan të bardhë të linjës Armani Privé, fillimisht i konceptuar për pasarelën e Alta Moda-s. Në fund, ceremonia e Milano Cortina-s la një mesazh të qartë: në Itali, stili nuk është dekor. Është identitet, është kujtesë, është mënyrë për t’i dhënë kuptim madhështisë. Dhe Giorgio Armani, edhe në mungesë, ishte aty, jo si emër, por si gjuhë estetike që vazhdon të flasë me botën
Rikujtojmë se Giuseppe Marsocci është tanimë shefi i ri ekzekutiv i shtëpisë së modës Armani, i emëruar nga stilisti i ndjerë që ndërroi jetë në shtator. Ai do ta marrë menjëherë rolin e ri. Marsocci punon në kompani prej 23 vitesh dhe për gjashtë vitet e fundit ka qenë shefi global i shitjeve. Giorgio Armani kishte kontroll të plotë mbi perandorinë e ngritur 50 vite më parë, por tani po ngrihet një strukturë e re për fazën e radhës. 61-vjeçari do të mbikëqyrë shitjen e planifikuar të 15% të aksioneve që kanë prioritet t’u jepen LVMH, L’Oreal OREP.PA, EssilorLuxottica ESLX.PA ose një grupi tjetër “të barabartë” siç thuhet në testamentin e Armani.







