Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka hyrë në një bllokadë të re politike, duke ia lënë zhbllokimin e ligjeve vendimtare marrëveshjes mes liderëve partiakë. Zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe nisja zyrtare e sistemit “Qyteti i Sigurt” varen drejtpërdrejt nga takimi i paralajmëruar mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, informon PressOnline.al
Shkaku kryesor i bllokadës është mungesa e shumicës së Badenterit, pa të cilën nuk mund të miratohen ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, por as të zgjidhet Avokati i Popullit. Si pasojë, institucione kyçe mbeten jofunksionale, ndërsa punonjësit e Avokatit të Popullit janë në pasiguri edhe për pagat.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pranoi se deputetët nuk kanë arritur kompromis dhe se zgjidhja duhet të vijë përmes një marrëveshjeje politike. Sipas tij, problemi nuk është emri i kandidatit, por pazari politik që po e mban peng procesin.
Nga qëndrimi i BDI-së varet edhe nëse nga 1 shkurti do të fillojë zbatimi i sistemit për ndëshkimin e shoferëve përmes kamerave të “Qytetit të Sigurt”, projekt që po shtyhet për shkak të kalkulimeve politike.
Status quo mbetet edhe për Kodin Zgjedhor dhe për formimin e komisioneve hetimore për tragjeditë e rënda që tronditën vendin, ndërsa Kuvendi vazhdon të funksionojë me ligje të bllokuara dhe vendime të shtyra.
Afrim Gashi u shpreh kundër zgjedhjeve të parakohshme, duke paralajmëruar se ato krijojnë paqëndrueshmëri politike dhe ekonomike, ndërsa bëri thirrje për përfundimin e mandateve dhe kthimin e stabilitetit institucional.(PressOnline.al)


