Sot po zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet lokale në katër komuna të vendit: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë përfunduar me sukses. Materiali zgjedhor është shpërndarë fillimisht në Komisionet Komunale Zgjedhore dhe më pas është dorëzuar në këshillat zgjedhorë në vendvotime.
Sipas të dhënave zyrtare të KSHZ-së, të drejtë vote në këto katër komuna kanë gjithsej 128.286 qytetarë, prej të cilëve 82.870 në Gostivar, 27.279 në Vrapçisht, 10.575 në Mavrovë Rostushë dhe 7.562 në Qendër Zhupë.
Ndryshe nga zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor, ku sipas Kodit Zgjedhor kërkohej që të paktën një e treta e votuesve të regjistruar të dilnin në votim për zgjedhjen e kryetarit, në zgjedhjet e përsëritura nuk parashikohet census i daljes në votim.(INA)


