Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje për kujdes në trafik, pas rënies së temperaturave dhe rreshjeve të borës.
Mbrëmjen e së mërkurës, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), paralajmëroi rënie të temperaturave, që tha se pritet të shkaktojnë ngrica nëpër rrugët e Kosovës.
Policia e Kosovës u bëri apel qytetarëve që të kenë kujdes në trafik. Ky institucion apeloi shoferët që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen në rrugë, të mbajnë distancën me automjete të tjera, për shkak të mundësisë së ngricave.
“Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, tha Policia përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Rënia e temperaturave vjen pas vërshimeve shkatërruese në disa pjesë të Kosovës.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i luti qytetarët ta shmangin udhëtimin me automjete në orët në vijimin për shkak të ngricave të mundshme nëpër rrugë.
“Temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit. Kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë”, tha Instituti.
Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor, paralajmëroi IHMK.
Ndërkohë, Kurti tha se “ kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë”.
Këto paralajmërime vijnë një ditë pasi vendi u përball me vërshime të mëdha, të cilat detyruan gjithashtu autoritetet ta shtyjnë për 12 janar rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror, i cili duhej të riniste të enjten.
Reshjet e mëdha në ditët e fundit sollën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, telashe me ujin e pijes, si dhe bllokim rrugësh të martën.
Moti i lig nuk ka shkaktuar viktima apo të lënduar, thanë autoritetet të mërkurën.


