Gurakuç Kuçi, hulumtuesi i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride OCTOPUS, ka thënë se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk funksionon më si bazë juridike, duke e cilësuar atë si një kapitull të mbyllur në raport me statusin e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Kuçi ka theksuar se që nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është e qartë si në aspektin juridik ashtu edhe në praktikë se Rezoluta 1244 ka humbur funksionin e saj fillestar.
Sipas tij, ironia qëndron në faktin se procesin që çoi në këtë realitet e nisi vetë Serbia, ndërsa sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e “pranon” këtë fakt jo përmes reflektimit serioz, por përmes cinizmit politik.
Kuçi ka kujtuar se për vite me radhë Beogradi e ka përdorur Rezolutën 1244 si mbulesë për narrativa të rrezikshme, përfshirë pretendimet për rikthim të ushtrisë serbe në Kosovë, në frymën e ndërhyrjeve ruse në Gjeorgji dhe Ukrainë. Këto narrativa, sipas tij, janë shtyrë fuqishëm nga Moska, por janë refuzuar qartë nga Perëndimi.
Ai ka cituar edhe deklaratat e diplomatit amerikan James O’Brien, i cili ka theksuar se Rezoluta 1244 hapi një proces politik, proces që u zhvillua dhe përfundoi me pavarësinë e Kosovës.
Sipas Kuçit, faktet kyçe që duhet të mbahen mend janë se Rezoluta 1244 ishte një kornizë kalimtare pas vitit 1999, se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel as të drejtën ndërkombëtare dhe as vetë Rezolutën 1244, si OKB e ka vulosur këtë realitet përmes Rezolutës A/RES/64/298.
Kuçi në fund ngre një pyetje paralajmëruese.
‘’Nëse 1244 për Vuçiqin ka rënë, pyetja reale është kjo: çfarë po përgatitet të bëjë Serbia kundër Kosovës tani dhe a jemi gati ta lexojmë me kohë?’’


