Policia ka zbuluar gjashtë migrantë nga Egjipti dhe ka privuar nga liria katër persona, përfshirë edhe të mitur, të dyshuar për përfshirje në transportimin e paligjshëm të migrantëve. Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, më 3 janar 2026, rreth orës 19:00, në hyrje të Gjevgjelisë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Kalim Kufitar dhe Mbikëqyrje Kufitare “Bogorodicë” kanë privuar nga liria një 15-vjeçar nga fshati Trkanjë, rajoni i Koçanit, si dhe një 16-vjeçar nga fshati Budinarcë, rajoni i Berovës, me vendbanim në Vinicë. Paraprakisht, rreth orës 18:40, policia kishte vërejtur një grup prej gjashtë migrantësh që lëviznin nga Greqia drejt Maqedonisë së Veriut.
Pasi migrantët hynë në territorin e vendit, u vërejtën dy automjete që po lëviznin drejt tyre, me ç’rast pesë migrantë u futën në automjetin “Fiat Stilo” me targa të Dellçevës. Pas ndërhyrjes së policisë, automjeti u ndalua në hyrje të Gevgjelisë dhe u konstatua se po drejtohej nga 15-vjeçari, ndërsa 16-vjeçari ishte bashkudhëtar. Në automjet u gjetën pesë migrantë nga Egjipti, prej të cilëve dy ishin të mitur.
Pak më vonë, në afërsi të vendit të ngjarjes, u gjet dhe u privua nga liria edhe M.J. (22) nga Egjipti, i cili dyshohet se ishte udhëheqësi i grupit të migrantëve. Ndërkohë, pas veprimeve të ndërmarra, rreth orës 21:40, në rrugën “Hristijan Karposh” në Shtip, zyrtarë policorë nga SPB Shtip ndaluan edhe automjetin e dytë “Volkswagen Golf” me targa të Dellçevës. Për shkak të dyshimeve për përfshirje në rast, nga liria u privuan një tjetër 16-vjeçar me vendbanim në Vinicë dhe L.P. (22) nga Koçani, të cilët udhëtonin me këtë automjet. Të gjitha personat e përfshirë janë mbajtur në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse penale, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.


