Decentralizimi dhe digjitalizimi janë procese kyçe për qytetarët, që të mund të marrin shërbimet komunale pa pasur nevojë të vizitojnë sportele të ndryshme. Sipas ministrit për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski, përfitim nga këto procese do të kenë si qytetarët, ashtu edhe komunat, ndërsa Ligji për vetëqeverisje lokale, aktualisht i ngecur në Kuvend, pritet të përparojë sapo të plotësohet kuorumi.
“Jemi maksimalisht të përkushtuar në mbështetje të pushtetit lokal, jo vetëm financiarisht, por edhe përtej sfidave ditore. Në 16-17 muajt e fundit kemi ndarë rreth 20 miliardë denarë për rreth 1.200 projekte,” deklaroi Perinski.
Ministria për Transformim Digjital ka shpallur konkurs për krijimin dhe rregullimin e faqeve të internetit të komunave, ku janë paraqitur rreth 50 komuna. Pesë komunat e para kanë filluar konsultimet, ndërsa faqet e para pritet të jenë funksionale gjatë janarit dhe shkurtit.
“Ofrojmë faqe të unifikuara që lidhen me sistemet dhe shërbimet shtetërore, duke mundësuar qasje të lehtë për qytetarët,” tha ministri Stefan Andonovski.
Nga BNJVL theksojnë se për suksesin e decentralizimit është thelbësore edhe decentralizimi financiar i komunave. Drejtoresha ekzekutive, Dushica Perishiq, shtoi se gjendja financiare e komunave është e vështirë dhe se mbështetja nga Qeveria nuk mjafton pa një plan të qëndrueshëm financiar.
Procesi i digjitalizimit dhe decentralizimit mbështetet nga ambasadat e Zvicrës dhe Suedisë.


