Maqedonia në vitin 2022 ka pasur 8,5 prokurorë publikë për 100 mijë banorë, ndërsa në vitin 2024, sipas raportit të fundit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ky numër është rritur në 9,2. Me këtë, vendi i afrohet gradualisht mesatares prej 11,2 prokurorë për 100.000 banorë, sa është mesatarja në 44 vende të përfshira në raportin e fundit vlerësues të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë – CEPEJ (2024), mbi bazën e të dhënave për vitin 2022, informon PressOnline.al
Sipas CEPEJ, Maqedonia, me numrin e aktual të prokurorëve për 100 mijë banorë, gjendet në të njëjtin grup me shtete si Gjermania (7,7), Belgjika (7,5), Finlanda (7,9), Malta (8,8), Sllovenia dhe Luksemburgu (9,8) si dhe Irlanda Veriore (9,3).
Numri i prokurorëve ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin – nga minimumi prej 3,2 në Francë dhe Irlandë, 3,8 në Itali, deri te maksimumi prej 24 në Bullgari, Letoni dhe Moldavi.
Sa më shumë që lëvizet drejt Evropës Lindore, aq më i lartë është numri i prokurorëve për banor – shpesh mbi 15 për 100.000 banorë – megjithëse ka përjashtime në veri dhe juglindje, si Finlanda, Suedia, Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia.
Krahasimi në rajon
Sipas raportit të CEPEJ:
-
Greqia ka 5,7 prokurorë për 100 mijë banorë
-
Shqipëria ka 7,2
-
Maqedonia pason me 8,5 (të dhëna 2022)
-
Sllovenia – 9,8
-
Serbia dhe Bosnja e Hercegovina – 10,4
-
Kroacia – 16,2
-
Mali i Zi – 16,6
-
Bullgaria – 23,9
Pse ka dallime të mëdha në numrin e prokurorëve?
Raporti CEPEJ thekson se dallimet vijnë edhe për shkak të rolit të personelit ndihmës, i cili në disa vende kryen detyra të ngjashme me ato të prokurorëve.
Në Itali, funksioni “zëvendësprokuror” ndihmon me procedura për kundërvajtje, analizë të praktikës gjyqësore dhe përgatitje të kërkesave për pezullim të çështjes.
Në Francë, “délégués du procureur” kryejnë masa alternative të ndjekjes penale, procedura të shpejta penale, mbikëqyrin ekzekutimin e dënimeve dhe marrin pjesë në politikat lokale kundër kriminalitetit.
Në tetë shtete të tjera numri i këtij personeli është shumë më i lartë krahasuar me prokurorët. Raporti tregon se në vitin 2022, për çdo 100 prokurorë kishte:
-
35 punonjës me funksione të ngjashme në Austri
-
19 në Francë
-
20 në Monako
-
23 në Irlandë
-
76 në Itali
-
361 në Maltë
-
24 në Holandë
-
25 në Zvicër
Gjendja në Maqedoni
Sipas raportit të Këshillit të Prokurorëve Publikë për vitin 2024, bazuar në rregulloren për organizimin e brendshëm, janë të parapara 1.126 vende pune në prokurori, nga të cilat janë të mbushura 371.
Kjo do të thotë se në Maqedoni ka 20,1 punonjës të shërbimit prokurorial për 100 mijë banorë. Ndërsa CEPEJ për vitin 2022 e ka vlerësuar këtë numër me 20, mbi mesataren evropiane prej 14,7.(PressOnline.al)



