Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka deklaruar se së shpejti koalicioni VLEN do të japë përgjigje rreth idesë për transformimin në parti politike. Sipas Kasamit, çështja është komplekse dhe zgjidhja duhet të reflektojë strukturën organizative të koalicionit. Ai shtoi se sa i përket liderit të VLEN-it, ekziston dakordësi brenda koalicionit.
“Çdo formë e gabuar e organizimit të VLEN-it ka rrezik që të dëshpërojë një pjesë të strukturës që nuk është interes i asnjërit subjekt politik. Pra në nivel të liderëve të VLEN-it nuk ka dilema sa i përket asaj se kush do të jetë lideri, pra kushdo që të jetë është e pranueshme, por ajo që është me rëndësi që organizimi i strukturës udhëheqëse të VLEN-it të reflektojë realitetin e strukturës organizative dhe mbështetësve që i ka VLEN-i në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Bilall Kasami, VLEN.


