Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka reaguar pas mbylljes së procesit zgjedhor të 19 tetorit, duke e vlerësuar ditën e votimit si të qetë dhe të suksesshme, pa parregullsi të mëdha. Në një postim publik, Osmani u shpreh mirënjohës për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë fushatës zgjedhore, duke përfshirë aktivistët, strukturat e partisë dhe të koalicionit, si dhe forumin e grave dhe atë rinor.
“Në fillim dua të shpreh kënaqësinë time për ditën zgjedhore. Vlerësoj se kishim një ditë zgjedhore të suksesshme, pa vërejtje të mëdha, dhe besoj se kjo është e rëndësishme të theksohet. Dua të shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët gjatë gjithë fushatës: nga aktivistët dhe shokët partiakë e të koalicionit, mbështetësit, forumin e grave, forumin rinor. Ishte me të vërtetë një nder të punohej me përkushtim dhe sakrificë, një proces gjatë të cilit u krijua një vizion i bukur për Çairin, por edhe shumë miqësi të reja”, shkroi Osmani.
Ai shtoi se në politikë, fjala e fundit u takon qytetarëve dhe se ai e respekton vullnetin e tyre, pavarësisht se fushata nuk ka qenë e barabartë në çdo aspekt.
“Edhe pse fushata nuk ishte as e drejtë, as e ligjshme në çdo aspekt, unë nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në situata si kjo,” theksoi Osmani. Në të njëjtën kohë, ai uroi kundërkandidatin dhe koalicionin fitues për sukses në drejtimin e komunës gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.
“Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij, ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme”. Në fund të statusit të tij, Osmani falënderoi familjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe e mbylli mesazhin me paralajmërimin se për hapat e ardhshëm politik do të flasë në ditët në vijim.