Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar sot një operacion të gjerë policor në komunat Zubin Potok dhe Zveçan, si pjesë e hetimeve lidhur me vrasjen e një zyrtari të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Sipas komunikatës së përbashkët të lëshuar të dielën, operacioni është zhvilluar “në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale”, duke pasuar një hetim të ndërlidhur me vrasjen e zyrtarit të EULEX-it, A.S.
Gjatë bastisjeve, të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, janë kontrolluar gjithsej nëntë lokacione: dy në Zveçan dhe shtatë në Zubin Potok.
Bastisjet janë bërë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: “Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “Vrasje të Rëndë” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.”
Policia ka shoqëruar shtatë persona, të cilët janë marrë në pyetje dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
“Nga bastisjet janë gjetur dhe sekuestruar disa dëshmi materiale që mund të lidhen me rastin, përfshirë: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme etj”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë nënvizuar se gjatë zbatimit të urdhrit për bastisje, si një hap i rëndësishëm procedural në kuadër të një hetimi që është ende në zhvillim, janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale.
Në fund të komunikatës, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar përkushtimin për garantimin e rendit dhe drejtësisë.
“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cenojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës”, theksohet në njoftim.