Partitë politike larg harmonizimit të qëndrimeve për ndryshimet kushtetuese. Eksperti juridik Mersim Pollozhani vlerëson se procesi është komplikuar si pasojë e papjekurisë politike me theks të veçant të pushtetit. Pollozhani thotë se bullgarët e kanë vendin në kushtetutë pasi bëhet fjalë për një popull 9 milionësh, faktor i rëndësishëm në Ballkan.
“Kështu si zhvillohen punët, kjo situatë po komplikohet, aq më shumë se as pozita e as opozita nuk janë me qëndrime të prera, ose të paktën nuk kërkojnë konstruktivitet për ta zgjidh këtë çështje të ndërlikuar. Kjo është një situatë që do shum mençuri, maturi dhe të gjinden metodat se si të detyrohen, të binden palët. Këtu ka një papjekuri edhe të partive, por edhe një organizim të dobët nga vetë qeveria. Kryetari i qeverisë aktuale nuk tregon zhdërvjellësi, gatishmëri për kompromise dhe nuk tregon fare edhe aftësi për ta kryer këtë punë.”, tha për TVM2, eksperti juridik Mersim Pollozhani, përcjell PRESSonline.al
Nga qeveria konfirmojnë se procesi i ndryshimeve kushtetuese nuk është bllokuar dhe dorëzimi i amendamenteve në kuvend do të bëhet në korrik. Madje kjo do të plotësohet edhe me argumente shtesë për bindjen e opozitës. Megjithatë Pollozhani konsideron se reflektimi i VMRO-së mund të vijoj vetëm pas trysnisë ndërkombëtare.
“Aty është faktori ndërkombëtarë, ndaj të cilit nuk është rezistent asnjëri, edhe unë kujtoj se më shumë me faktorin ndërkombëtarë se sa me pjekurinë e politikanëve vendas do të zgjidhet ky problem.”, tha Pollozhani.
Afati përfundimtar i ndryshimeve kushtetuese pritet të jetë nëntori, që qeveria të arrij të hap konferencën e dytë ndërqevritare me Brukselin.



