Tahiri: “Duhet të bëhen përpjekje që ky skepticizëm të tejkalohet me atë që sektori civil, së bashku me mediat, dhe në partneritetet me faktorë të tjerë shoqërorë, të shpjegojnë se ideja për përfshirjen e vendit në Bashkimin Evropian nuk ka të bëjë me çështje të identitetit që lidhen me popullin maqedonas, por integrimi në Bashkimin Evropian do të sjellë benefite të mëdha.”
Nikolovski: “Si mund të kontribuojmë ne si shoqëri civile që të rikthehet besimi në BE dhe të zvogëlohet ky trend i euroskepticizmit? Do të thosha se me një bashkëpunim shumë më të madh me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me partnerët nga vendet e afërta, duhet të rrisim besimin mes dy shoqërive. ”
Jonuzi: “Retorika e ashpër e VMRO-DPMNE-së ndaj problemit me Bullgarinë, jo vetëm që rrit euroskepticizmin, por përkeqëson edhe marrëdhëniet e brendshme ndëretnike ndaj qytetarëve jo maqedonas që në shumicë janë pro-integrimit të Maqedonisë së Veriut në Evropë. ”
Shkruan: Enis Shaqiri
Maqedonia e Veriut, vend ky që shpreson të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, po përjeton një rritje të dukshme të euroskepticizmit dhe retorikave deprimuese në raport me procesin e integrimit në familjen evropiane. Pas vitesh përpjekjesh për të arritur këtë synim të madh, entuziazmi dhe besimi në BE-në po zbehet me kalimin e kohës.
Sipas analistëve politikë, arsyet për rritjen e euro-skepticizmit në Maqedoninë e Veriut janë shumëdimensionale. Një faktor i rëndësishëm, sipas tyre, është pritja e gjatë dhe pengesat që vendi ka përjetuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Shpresat për të marrë datë të caktuar për fillimin e negociatave janë shtyrë herë pas here, duke shkaktuar zhgënjim në opinionin publik.
TAHIRI: KONTESTI ME BULLGARINË DHE GREQINË KANË RRITUR DOZËN E EURO-SKEPTICIZMIT
Gazetari dhe analisti, Sefer Tahiri, në një prononcim për KDP.MK, thotë se kontesti me Bullgarinë, që ka pamundësuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, si dhe ai me Greqinë kanë rritur dozën e euro-skepticizmit në mesin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht tek qytetarët e përkatësisë etnike maqedonase.
“Realisht, konteksti me bullgarinë dhe sidomos konteksti me Greqinë, i cili ishte në kohë më të gjatë paraprakisht i pranishëm në sferën publike, kanë shtuar nivelin e euroskepticizmit europian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht te qytetarët e përkatësisë etnike maqedonase. Vlerësoj se duhet të bëhen përpjekje që ky skepticizëm të tejkalohet me atë që sektori civil, së bashku me mediat, dhe partneritetet faktorë të tjerë shoqërorë, të shpjegojnë se ideja për përfshirjen e vendit në Bashkimin Evropian nuk ka të bëjë me çështje të identitetit që lidhen me popullin maqedonas, por integrimi në Bashkimin Evropian do të sjellë benefite të mëdha, parasëgjithash ekonomike dhe në fushën e investimeve të huaja, të cilat pritet të rriten dhe të përmirësohet standardi jetësor ”, thotë Tahiri.
Tahiri është i mendimit se fokusi duhet të jetë tek çështjet praktike, apo edhe ato jetësore, të cilat lidhen me jetën e qytetarëve dhe me standardin, i cili ndërvepron në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të ketë përmirësim të besueshmërisë tek qytetarët ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Mendoj se edhe sektori civil, ashtu edhe politika sikur janë orientuar drejt shpjegimit të dimensioneve politike, apo narrativa më tepër është politikë sa i përket procesit të integrimit kryesisht në sferën e përmirësimit të marrëdhënieve ndër-etnike, stabilitetit të vendit, stabilitetit të institucioneve dhe zhvillimit të demokracisë, si dhe lirisë së shprehjes, që janë vlera evropiane të pakontestueshme dhe shumë të rëndësishme. Megjithatë, mendoj se fokusi duhet të jetë tek çështjet praktike, apo çështjet jetësore, të cilat lidhen me jetën e qytetarëve dhe me standardin i cili ndërvepron në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, si dhe, natyrisht, me shfrytëzimin e fonE madhee evropiane, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Vetëm në këtë mënyrë mendoj se do të ketë një përmirësim të besueshmërisë tek qytetarët ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”, thekson Tahiri.
Në lidhje me praninë e theksuar të retorikave deprimuese ,Tahiri thotë se këto tentativa janë “ndërtuar” nga partia në opozitë, VMRO-DPMNE, si dhe E Majta, të cilat, sipas tij, i kanë shërbyer konsumit të brendshëm politik, dhe të njëjtat nuk kanë të bëjnë me realitetin apo gjendjen faktike.
“Sigurisht, ka pasur narrativa të cilat kanë ardhur kryesisht nga partia opozitare VMRO-DPMNE, por edhe nga partia tjetër opozitare, e Majta. Unë konsideroj se këto narrativa kanë për qëllim konsumin e brendshëm politik, pra nuk kanë të bëjnë me realitetin apo gjendjen faktike, por deklarohen më shumë për të përfituar pikë politike. Mendoj se ritheksimi i çështjeve të identitetit apo çështjet që lidhen me historinë, të kaluarën, heronjtë apo ngjarjet historike në raport me Bullgarinë gjithsesi se e ulin nivelin e dëshirës apo vullnetin për t`u integruar në Bashkimin Evropian”, vlerëson Tahiri, duke nënvizuar se këto narrativa etnocentrike, të cilat ndonjëherë kanë tonalitet jo të integruar, kanë për qëllim të bindin pjesën e elektoratit maqedonas, e cila është më radikale ose më ekstreme, që të votojë për këto parti duke kundërshtuar procesin e integrimit.
NIKOLOVSKI: TË NXITET DIALOGU I HAPUR PËR RËNDËSINË E PESPEKTIVËS EUROPIANE
Në një vijë është edhe Dimitar Nikolovski nga “Eurothink.” Ai për KDP.MK vë në dukje se duhet të ndërthuren temat me Greqinë dhe Bullgarinë për të kuptuar se pse ka rënë përkrahja për anëtarësim në BE, veçanërisht vitin e kaluar. Problemi më i madh, sipas tij, janë kushtet e vështira të propozimit francez, që u përjetuan si një disfatë nga shumica e popullsisë, veçanërisht nga maqedonasit etnikë.
“Euroskepticizmi në Maqedoni gjithmonë ka qenë në nivele të larta deri në fund të vitit të kaluar, kur papritmas ra për 20%. Tani është interesante si është mbajtur në një nivel të lartë euroentuziazmi në vend, megjithatë duhet patjetër t’i ndërlidhim edhe temat me Greqinë dhe Bullgarinë për të kuptuar se pse ka rënë përkrahja për anëtarësim në BE, sidomos vitin e kaluar. Unë mendoj se është për shkak të lodhjes që e ndjejnë qytetarët e Maqedonisë dhe për shkak të shumë premtimeve që i kemi dhe partnerët perëndimorë, e megjithatë nuk janë realizuar. Sigurisht problemi më i madh janë kushtet shumë të vështira që e sollën me propozimin francez që u pa nga një pjesë e madhe e popullatës, sidomos e maqedonasve etnikë si disfatë por edhe diçka shumë e vështirë për t’u përmbushur”, thekson Nikolovski.
Në lidhje me kontributin e shoqërisë civile për të rikthyer besimin në BE dhe zvogëlimin e euroskepticizmit, Nikollovski shpreh nevojën për veprime të menjëhershme. Ai sugjeron se shoqëria civile duhet të fokusohet në përmirësimin e dialogut publik dhe nxitjen e debatit të hapur dhe të ndërgjegjshëm rreth përparimit evropian.
“Tani si mund të kontribuojmë ne si shoqëri civile që të rikthehet besimi në BE dhe të zvogëlohet ky trend i euroskepticizmit? Do të thosha se me një bashkëpunim shumë më të madh me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me partnerët nga vendet e afërta, duhet të rrisim besimin mes dy shoqërive. Këtu, sigurisht, më së shumti kërkoj për Bullgarinë. Megjithatë, mendoj se nevojitet një fushatë më e fortë dhe e menduar strategjikisht nga Bashkimi Evropian, për faktin se është shumë e vështirë të komunikohet ndonjë aspekt pozitiv të veprimeve të tyre në Maqedoni në periudhën e fundit, veçanërisht sa i përket vaksinave të sjella nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që më shumë mbahet mend ndihma që morëm nga Vuçiq”, thotë Nikolovski, duke shtuar se vetëm duke angazhuar publikun dhe duke ndërtuar një ndërgjegje kolektive për rëndësinë e perspektivës evropiane, Maqedonia e Veriut mund të ndërtojë një shoqëri më të përfshirë dhe të përkushtuar ndaj vlerave dhe synimeve europiane.
Sipas anketës së realizuar nga Instituti për Kërkime Politike në fillim të muajit maj, 42.1 për qind e qytetarëve thanë se e kanë humbur besimin se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo përqindje, në një anketë të realizuar katër vjet më herët nga po ky institut ishte vetëm 22.2.
Ndërsa, rezultatet e anketës së realizuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Qendra për Strategji Evropiane “Eurothink” kanë nxjerrë në pah rezultatin e ngushtë për sa i përket besimit të qytetarëve nëse gjatë vitit 2023 Maqedonia e Veriut do të arrijë ta ndryshojë Kushtetutën, përkatësisht në preambulë t’i përfshijë bullgarët, dhe të vazhdojë procesin e negociatave. Se kjo do të mund të ndodhë besojnë 38 për qind e qytetarëve të anketuar, ndërsa mosbesim kanë shprehur 39 për qind e qytetarëve të anketuar.
Rezultatet e Qendrës për Strategji Evropiane, gjithashtu tregojnë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të mendimit se Bashkimi Evropian ka qëndrim jokorrekt ndaj vendit. Ky hulumtim bën të ditur se 65 për qind e qytetarëve të anketuar konsiderojnë se qasja e BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut është shantazhuese dhe e padrejtë, për sa i përket kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës, si kusht që vendi të vazhdojë procesin e integrimeve.
JONUZI: EUROSKEPTICIZMI NË MAQEDONINË E VERIUT SI PASOJË E POLITIKËS SË ASHPËR TË VMRO-DPMNE-së
Gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike Destan Jonuzi, thotë se retorika e ashpra e VMRO-DPMNE-së ndaj problemit me Bullgarinë, ka bërë që të rritet euroskepticizmin tek qytetarët maqedonas. Ai gjithashtu thotë se kjo retorikë ka përkeqësuar edhe marrëdhëniet ndëretnike, tek qytetarët jo maqedonas që në shumicë janë pro integrimit të Maqedonisë së Veriut në Evropë.
“Kontestimi i Marrëveshjes së Prespës, për të cilën sot heshtë opozita dhe opozitari Hristijan Mickoski, edhe pse gjatë nënshkrimit të saj bënte shumë zhurmë, marrëveshjeve për fqinjësi të mirë, së fundmi edhe të ndryshimeve kushtetuese që janë “çelësi” për ecjen pa pengesa të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimit në BE, ka sjell në masë të madhe që në mesin e bashkëqytetarëve tanë maqedonas të rritet skepticizmi evropian. Retorika e ashpër e VMRO-DPMNE-së ndaj problemit me Bullgarinë, jo vetëm që rrit euroskepticizmin, por përkeqëson edhe marrëdhëniet e brendshme ndër-etnike, ndaj qytetarëve jo maqedonas që në shumicë janë pro-integrimit të Maqedonisë së Veriut në Evropë”, thotë Destani.
Sipas tij, elita politike dhe ajo intelektuale në Maqedoninë e Veriut duhet të reflektojnë mbi këtë çështje, duke e ndryshuar këtu edhe diskursin e tyre politik.
“Elita të caktuara politike dhe intelektuale maqedonase në vend duhet ti thirrin mendjes, në veçanti opozitarja VMRO-DPMNE dhe të ndryshojë diskursin e saj politik. Ajo, ndryshimet kushtetuese në Preambulë nuk duhet ti paraqes si diçka që do të çojë në humnerë vendin, por si një akt sublim demokratik që do t`i sjell vendit prosperitet ekonomik, sundim të ligjit etj. Qarqe të caktuara politike, sidomos opozitarja VMRO-DPMNE dhe ultraradikalja Levica kanë kontribuar shumë në rritjen e euroskepticizmit te bashkëqytetarët tonë maqedonas”, thekson Destani, duke shtuar se në rastin e shqiptarëve, elita intelektuale ashtu edhe ajo politike kanë qëndrim të qartë në favor të integrimin të vendit në BE, pa asnjë përjashtim.
Ndryshe, analiza e 3 sondazheve të fundit të kryera në 4 vitet e fundit tregon se nga viti 2019 e deri më sot, mbështetja ka rënë ndjeshëm. Nëse në vitin 2019, 67.4% e të anketuarve mbështesnin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në vitin 2020 numri ra në 65.5%, dhe sot është në nivelin më të ulët prej 55.8%. Ashtu siç pritej, në një situatë të tillë rritet numri i qytetarëve që janë kundër. Nga 17.3% që ishin kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2019, numri sot ka shkuar në 24.8%, që do të thotë se çdo i katërti qytetar i Maqedonisë është kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përkrahësit më të mëdhenj të anëtarësimit në BE janë të rinjtë dhe kundërshtarët më të mëdhenj janë qytetarët e moshës 30 deri në 40 vjeç./KDP



