Kandidati i opozitës, Florjan Binaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar votimin në Tiranë në 9 nëntor.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai shprehet se kurdo që të caktohen zgjedhjet për Tiranën, do të marrë pjesë në garën zgjedhore.
“Miqtë e mi, Zgjedhjet e pritshme në Tiranë janë vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë që po nisim. Kurdo që të caktohet votimi, ne do të marrim pjesë me vizionin dhe vullnetin tonë për ndryshim.
Deri atëhere ju ftoj të punojmë çdo ditë për të ndezur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve besimin tek politika e ndershme, tek politika e punës, besimin se pushteti buron nga qytetarët dhe duhet të punojë vetëm për qytetarët. Partia më e rëndësishme, partia më e fuqishme në botë është partia e qytetarëve. Flori”, shkruan Binaj.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës,
VENDOSI
Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.







