Pas deklaratës provokuese të deputetit dhe shefit të Shtabit të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, i cili në një tubim parazgjedhor iu drejtua Ali Ahmetit me fjalët: “A kishe gjak shqiptari kur u vra Almir Aliu?”, ka reaguar ashpër halla e të ndjerit Almirit, Resmije Aliu, përcjell PressOnline.al.
Në një reagim publik, ajo e ka quajtur përdorimin e emrit të nipit të saj nëpër fushata politike si të neveritshëm dhe të pandershëm, duke e akuzuar drejtpërdrejt Azizit për shfrytëzim emocional të një tragjedie familjare për përfitime politike.
“Zotëri, Almiri nuk është kurban as i juaji e as i askujt (politikan). Ku gjithë këto vite e përdorni vetëm për fushata zgjedhore. Dikujt zemra i digjet, e sidomos kur ti me aq lehtësi ia përmend emrin”, shkruan ajo.
Reagimi vjen pas fjalimit të Azizit në të cilin ai përmendi disa raste tragjike për të goditur politikisht liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Përveç Almirit, Azizi përmendi edhe Brodecin, rastet e montuara dhe afërsinë e supozuar të Ahmetit me ish-kryeministrin Nikola Gruevski.
“Ali Ahmeti, a kishe gjak shqiptari kur ndodhën rastet e montuara? A kishe gjak shqiptari kur u vra Almir Aliu në Kumanovë? A kishe gjak shqiptar kur ndodhi Brodeci? Pse qëndrove 10 vite në ‘prehër’ të Gruevskit?”, deklaroi Azizi nga podiumi.
Por kjo nuk është hera e parë që deklaratat e Azizit shkaktojnë pakënaqësi dhe indinjatë publike. Vetëm pak ditë më parë, vajza e Komandant Strugës reagoi ashpër ndaj një tjetër deklarate të tij, në të cilën Azizi akuzoi Ahmetin për vrasjen e Nuri Mazarit, deklaratë që u cilësua si e pavërtetë dhe fyese nga familja e komandantit të UÇK-së.
Përdorimi i tragjedive personale në diskursin politik po nxit gjithnjë e më shumë zemërim në publik, veçanërisht tek familjarët e viktimave të cilët kërkojnë respekt, drejtësi dhe ndalim të manipulimit me emrat e të ndjerëve për qëllime elektorale.
“Mos e përdorni emrin e Almirit për fushatat tuaja. Na lini të qetë me dhimbjen tonë!”, përfundon reagimin e saj Resmije Aliu. / PressOnline.al



