Analistët paralajmërojnë se pjesëmarrja në zgjedhjet lokale që po afrohen do të jetë treguesi kyç për besimin e qytetarëve në demokracinë lokale.
Para zgjedhjeve lokale që po afrohen, vëmendja e publikut dhe e analistëve edhe një herë është përqendruar te pjesëmarrja – një shifër që gjithnjë e më shpesh shihet si një nga treguesit më të rëndësishëm të angazhimit politik në vend. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, për shembull, votuan pak më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote (51,44% në raundin e parë dhe 49,65% në të dytin), gjë që sipas shumicës së analistëve zgjedhorë, përfaqësonte pjesëmarrjen më të ulët që nga futja e sistemit shumëpartiak, shkruan PressOnline.al
Këtë vit, raundi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor. Vëzhguesit politik theksojnë se disa faktorë mund të ndikojnë në pjesëmarrjen e votuesve. Njëri prej tyre është emigrimi, i cili sipas të dhënave zgjedhore ka zvogëluar bazën e votuesve aktivë për të paktën 30.000 persona krahasuar me vitin 2021. Disa ekspertë mendojnë se kjo mund të ulë pjesëmarrjen, veçanërisht në komunat më të vogla, ku çdo votë ka peshë më të madhe.
Përveç kësaj, tek një pjesë e votuesve vërehet apati dhe mosbesim në proceset lokale dhe analistët theksojnë se situatat ku gara reduktohet në vetëm dy kandidatë – siç është rasti në rreth 20 komuna, përfshirë Vrapçishtin, Zhelinën, Kriva Pallankën dhe Mavrovë-Rostushën – mund të ulë motivimin për të votuar.
Në anën tjetër, në komunat më të mëdha me më shumë kandidatë – si Shkupi me 16 emra, Prilepi dhe Struga me nga 9, ose Manastiri dhe Shuto Orizarja me nga 8, pritet një garë më e gjallë që sipas disa parashikimeve mund ta rrisë interesimin e votuesve.
Në analizat e një pjese të ekspertëve, përmendet edhe roli i fletëve të pavlefshme. Ato, sipas Kodit Zgjedhor, llogariten në pjesëmarrje dhe nga njëra anë kontribuojnë në legalitetin e procesit, por nga ana tjetër, mund të interpretohen edhe si shenjë pakënaqësie me opsionet e ofruara.
Një tjetër çështje që ngritet është përfaqësimi i ulët i grave kandidate, që këtë vit është vetëm 10,4% – pak më mirë se në vitin 2021, por ende shumë larg standardeve evropiane. Sipas të dhënave të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), nga viti 1996 deri në 2021 në vend janë zgjedhur gjithsej 660 kryetarë komunash, prej të cilëve vetëm 18 kanë qenë gra. Disa vëzhgues mendojnë se kjo çështje ndikon edhe në motivimin e votuesve, pasi mungesa e barazisë gjinore ndikon në perceptimin për seriozitetin e procesit zgjedhor.
Edhe pse është e vështirë të parashikohet saktësisht pjesëmarrja, shumica e bashkëbiseduesve bien dakord se ajo do të jetë faktor vendimtar në vlerësimin e legjitimitetit të kryetarëve të rinj të komunave. Sipas disa prej tyre, nëse pjesëmarrja bie nën 45%, kjo do të jetë një sinjal për sfida serioze për demokracinë lokale, si dhe nevojë për analizë të thelluar të arsyeve për apatinë në rritje të votuesve.
Çfarë thonë ekspertët?
Profesori universitar Vlladimir Bozhinovski, në një intervistë për “Sloboden Peçat”, parashikon se pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk do ta kalojë 50%:
“Është normale që pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të jetë më e ulët se në zgjedhjet parlamentare, por më e lartë se në ato presidenciale. Pres që pjesëmarrja të lëvizë nga 45 deri në 50 përqind, megjithëse 50% është tepër optimiste për t’u pritur. Ka disa faktorë që ndikojnë – atraktiviteti i kandidatëve, cilësia e fushatës, por edhe fakti që disa parti kanë votues për zgjedhjet parlamentare, por nuk kanë lista për ato lokale. Pjesëmarrje më të lartë pres në komunat ku garat janë më të tensionuara, si në Çair, Tetovë, Qendër, Karposh… Kurse pjesëmarrje më të ulët pres në komunat ku fituesi dihet paraprakisht”.
Analisti politik Xhelal Neziri, në një paraqitje në TV24, paralajmëroi se një bojkot i mundshëm ose pakënaqësia masive e qytetarëve mund të ndikojë në perceptimin për legjitimitetin e zgjedhjeve, si dhe në besimin në institucionet shtetërore.
“Po përballemi me shumë probleme që i bëjnë qytetarët të jenë të pakënaqur me partitë politike aktuale, dhe pikërisht kjo pakënaqësi mund të shfaqet si bojkot i zgjedhjeve lokale. Nuk do të çuditesha nëse ndodhemi në një situatë ku nuk arrihet as cenzusi minimal prej 33,3% të votuesve të regjistruar” – deklaroi Neziri.
Si funksionon cenzusi në zgjedhjet lokale?
Për zgjedhjen e kryetarit të komunës në raundin e parë, kërkohet pjesëmarrje minimum një e treta (33,3%) e votuesve të regjistruar në komunë ose në Qytetin e Shkupit.
Nëse askush nuk merr shumicën e nevojshme, në raundin e dytë votohet për dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në të parin.
Në raundin e dytë, zgjidhet kandidati që merr më shumë vota.
Nëse as pas raundit të dytë nuk zgjidhet kryetari i komunës, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) duhet të njoftojë Qeverinë brenda 15 ditëve pas përfundimit të zgjedhjeve.
Për zgjedhjen e këshilltarëve nuk ka cenzus. Numri i ulëseve në këshill shpërndahet sipas formulës së D’Hondt-it, në bazë të votave që marrin listat e kandidatëve për këshill.
Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ndër vite:
-
1996: Raundi i parë – 60%, i dyti – 51%
-
2000: Raundi i parë – 59%, i dyti – 53%
-
2005: Raundi i parë – 56,36%, i dyti – 53,66%
-
2009: Raundi i parë – 57%, i dyti – 43%
-
2013: Raundi i parë – 67%, i dyti – 65%
-
2017: Raundi i parë – 60%, i dyti – 52%
-
2021: Raundi i parë – 51%, i dyti – 49%. (PressOnline.al)


