Shkup, 9 shtator – Zgjedhjet lokale duhet të jenë momenti kur qytetarët diskutojnë për problemet e tyre të përditshme – rrugët, kopshtet, shkollat, shërbimet publike dhe projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës në komunat ku jetojnë. Mirëpo, kur në këtë proces futet një fushatë si ajo për “Botën serbe”, fokusi zhvendoset nga çështjet lokale tek narrativat ideologjike dhe politikës ditore, që pak kanë të bëjnë me realitetin e qytetarëve, shkruan PressOnline.al
Argumenti kryesor pse kjo fushatë është e dëmshme lidhet me faktin se ajo ua merr hapësirën mediale dhe vëmendjen publike vetë kandidatëve për kryetarë komune. Në vend që protagonistët e garës të jenë njerëzit që kërkojnë besimin e qytetarëve për të udhëhequr komunat, në qendër të vëmendjes shfaqen liderë dhe agjenda të jashtme, të cilat nuk ofrojnë zgjidhje konkrete për nevojat lokale.
Kjo sjell pasoja të dukshme. Debati lokal degradohet, sepse qytetarët nuk dëgjojnë për projekte konkrete, por për ide të përgjithshme politike që nuk i prekin drejtpërdrejt. Hapësira mediale monopolizohet nga “Bota serbe”, ndërsa kandidatët lokalë mbeten në hije. Diskursi etnik krijon tensione të panevojshme, e polarizon shoqërinë dhe zhvendos debatin nga bashkëpunimi tek përçarja. Po ashtu, dobësohet llogaridhënia, sepse qytetarët nuk i gjykojnë kandidatët mbi bazën e projekteve të tyre, por orientohen nga emocione të nxitura që nuk kanë lidhje me jetën e përditshme.
Në këtë mënyrë, procesi zgjedhor humb thelbin e vet demokratik. Në vend që të jetë një garë për zhvillim lokal dhe për zgjidhje të problemeve konkrete, zgjedhjet shndërrohen në mjet për promovim të ideologjive që shërbejnë interesave të ngushta politike.
Zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe komunat e tyre, jo për projekte ideologjike të imponuara nga jashtë. Për këtë arsye, futja e fushatës “Bota serbe” në këtë proces nuk është vetëm e gabuar, por edhe e dëmshme: ua mohon qytetarëve mundësinë për të dëgjuar, gjykuar dhe zgjedhur mbi bazën e projekteve reale që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.(PressOnline.al)


