Dyshime për përgjime të paligjshme: Kuvendi thërret Komisionin për mbikëqyrje të ASK-së

featured
Press Online
05 Shtator 2025, 08:56

Sot në orën 11:00, me thirrje të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK) dhe Agjencisë për Inteligjencë, pas dyshimeve të fundit për përgjime të paligjshme nga ASK në periudhën 2019–2024, përcjell PressOnline.al.

Mbledhjen do ta udhëheqë deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska. Kjo vjen pasi deputeti Ljupço Prenxhov, anëtar i komisionit, publikisht i kërkoi kryetarit të komisionit, Skender Rexhepi nga Fronti Europian, që të thërrasë një seancë urgjente. Rexhepi refuzoi me arsyetimin se është i diskriminuar dhe ende nuk ka marrë certifikatë sigurie, pavarësisht se e ka kërkuar që para një viti.

“Qëllimi i mbledhjes është të shqyrtohen me seriozitet dyshimet për veprimet e paligjshme brenda ASK-së dhe të përcaktohet një datë për vizitë zyrtare në institucion, me qëllim të një inspektimi të drejtpërdrejtë dhe verifikimi të plotë të rrethanave,” deklaroi Prenxhov.

Sipas tij, këto zhvillime kanë shkaktuar shqetësim të madh në opinion, duke minuar besimin e qytetarëve tek institucionet që duhet të garantojnë sigurinë kombëtare. Ai theksoi se komisioni ka detyrim të veprojë me përgjegjësi e transparencë, për të siguruar llogaridhënie dhe mbrojtje të integritetit demokratik të shtetit.

Nga ana tjetër, Rexhepi tha se si kryetar i Komisionit nuk mund të marrë pjesë në një mbledhje të tillë për shkak të mungesës së certifikatës së sigurisë, duke e cilësuar këtë si diskriminim të drejtpërdrejtë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter