Partitë në Maqedoni pa plan për zgjedhje, por me strategji për çdo skenar

featured
Press Online
19 Qershor 2026, 15:37

Edhe pse zgjedhjet e parakohshme parlamentare zyrtarisht nuk janë në agjendën e pushtetit, tema tashmë ka filluar të lëvizë skenën politike. Derisa qeveria paralajmëron rindërtimin e kabinetit qeveritar, partitë politike analizojnë se kujt do t’i përshtateshin zgjedhjet e reja në pranverë dhe kujt i shërben kjo temë vetëm si instrument presioni, shkruan PressOnline.al

Skenari politik lë hapur dy mundësi. Fillimisht riformatimi i Qeverisë dhe më pas eventualisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ose e kundërta – paralajmërimi i zgjedhjeve si mjet presioni përpara ndryshimeve në kabinet.

Pikërisht për këtë arsye, deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski se Qeveria nuk ka plan për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por është e gatshme nëse “sfidohet”, kanë nxitur reagime dhe analiza të reja në skenën politike.

Pyetja tashmë nuk është vetëm nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të reja në pranverë. Çështja kryesore është kush e hap këtë temë, kujt i konvenon që ajo të mbetet aktuale dhe pse po diskutohet pikërisht tani, në një periudhë kur pushteti paralajmëron rindërtimin e Qeverisë.

“Doreza është hedhur”

Kryeministri Mickoski në disa raste ka përsëritur se VMRO-DPMNE dhe Qeveria nuk kanë plan për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, mandati i marrë nga qytetarët duhet të përfundojë deri në vitin 2028.

“Ne nuk kemi një plan të tillë”, ka deklaruar Mickoski, duke sqaruar se do të ishte e papërgjegjshme që në qershor apo korrik të këtij viti të bëhet riformatimi i Qeverisë, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm vendi të ketë një qeveri teknike.

Megjithatë, ai nuk e ka mbyllur plotësisht mundësinë e zgjedhjeve. Përkundrazi, ka lënë hapësirë për interpretime dhe analiza. Mesazhet e opozitës i ka cilësuar si “dorezë të hedhur” dhe ka theksuar se VMRO-DPMNE duhet të jetë gjithmonë e gatshme për të reaguar.

Një mesazh të ngjashëm Mickoski e dha edhe nga Strumica, ku foli për rindërtimin e Qeverisë, por edhe për mundësinë që opozita të marrë atë që, sipas tij, deklarativisht e kërkon.

“Opozita për një periudhë u forcua, thoshin se janë konsoliduar, se u janë bashkuar një numër i madh intelektualësh, të rinjsh dhe se janë të gatshëm të dalin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë këtë e ndjeva si një dorezë të hedhur dhe në kuadër të kësaj, ne si VMRO-DPMNE duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të reaguar”, ka deklaruar Mickoski, përcjell PressOnline.al

LSDM: Nuk do të jemi alibi

Nga LSDM-ja nuk e pranojnë tezën se opozita është ajo që po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve. Përkundrazi, sipas tyre, Mickoski kërkon zgjedhje të parakohshme sepse nuk ka rezultate dhe sepse, siç thonë, “po i mbarojnë paratë”.

Nga partia e udhëhequr nga Venko Filipçe vlerësojnë se kryeministri po përpiqet të krijojë një alibi politike.

“Ne nuk do t’i bëhemi alibi Mickoskit për zgjedhje të parakohshme. Këtë nga ne nuk do ta marrë”, kanë deklaruar nga LSDM-ja.

Në reagimin e tyre shihet qëndrimi se pushteti dëshiron ta transferojë temën e zgjedhjeve te opozita dhe të shmangë përgjegjësinë. LSDM-ja e lidh mundësinë e zgjedhjeve me gjendjen ekonomike, rrugën evropiane dhe mënyrën e qeverisjes së Mickoskit.

Për rindërtimin e paralajmëruar të Qeverisë, LSDM-ja nuk ka pritshmëri të mëdha. Nga kjo parti e cilësojnë si një operacion kozmetik dhe jo si ndryshim të vërtetë në mënyrën e qeverisjes.

Kritikat i drejtojnë edhe ndaj ZNAM-it, duke vlerësuar se në vend të një politike të re, publiku po sheh vazhdim të së njëjtës matricë qeverisëse.

PLD: Na janë bërë tepër zgjedhjet

Partia Liberale Demokratike (PLD) mban një qëndrim tjetër. Kryetarja e partisë, Monika Zajkova, për “Slloboden Peçat” ka deklaruar se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta dhe se shteti nuk ka luks të hyjë përsëri në një cikël të kushtueshëm zgjedhor.

“Askush nuk ikën nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, LDP-ja është e gatshme për një paraqitje të pavarur. Megjithatë, konsideroj se është e papërshtatshme të flitet për zgjedhje të parakohshme në një situatë kur koalicioni qeverisës ka shumicë stabile në Kuvend. Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të thotë shpenzim i parave të mëdha të qytetarëve. Edhe kur LDP-ja ishte pjesë e Qeverisë, edhe tani kur nuk është pjesë e koalicionit qeverisës, ka ndarë qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme”, ka deklaruar Zajkova, përcjell PressOnline.al

Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që partia e saj të largohet nga puna për Kodin Zgjedhor nëse diskutimet vazhdojnë vetëm në drejtim të asaj se sa mjete financiare do të marrin partitë e mëdha.

Shumë para janë në lojë

BDI-ja, ndërkohë, ndjek një qasje tjetër. Nënkryetari i partisë, Bujar Osmani, në një paraqitje televizive ka deklaruar se BDI-ja është e konsoliduar dhe e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në pyetjen nëse zgjedhjet i përshtaten partisë në situatën aktuale politike, Osmani është përgjigjur pa hezitim:

“Absolutisht, po”.

Edhe pse zgjedhjet e parakohshme nuk janë zyrtarisht pjesë e planit qeveritar, ato tashmë janë bërë një temë e rëndësishme politike, ku secila parti tenton ta pozicionojë veten përpara një skenari të mundshëm zgjedhor.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter