Kuzhina e konviktit shtetëror të studentëve në Tetovë, për të cilin janë shpenzuar rreth 3,5 milionë euro nga buxheti, është ndërtuar pa sistem ventilimi dhe për këtë arsye nuk përdoret. Ekipi i televizionit “Tellma” arriti të hyjë në objekt, por drejtoria nuk lejoi xhirime të brendshme dhe i orientoi gazetarët tek Ministria e Arsimit për përgjigje, përcjell PressOnline.al
Sipas udhëheqësisë së konviktit, furnizimi me ushqim bëhet përmes një kompanie private, ndërsa studentët ende nuk janë sistemuar në mënyrë që të mund të shprehen për cilësinë e shërbimit.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se po zgjidhen problemet e trashëguara, por nuk precizoi nëse do të kërkohet përgjegjësi për këtë skandal. “Nga gjetjet e raportit të revizionit, 90 për qind e vërejtjeve që mund të zgjidheshin janë adresuar, por mbeten edhe çështje më të rënda që kërkojnë kohë,” theksoi ajo.
Objekti, i cili u vu në funksion në shkurt të vitit 2024 nga qeveria teknike, është pranuar pa kontroll teknik dhe pa leje përdorimi, theksojnë nga Enti Shtetëror për Revizion. Për shkak të mungesës së ventilimit, as pajisjet e kuzhinës nuk janë vënë në përdorim, çka e bën të pamundur shfrytëzimin e plotë të objektit për qëllimin e paraparë.
Janevska pranoi se për momentin zgjidhja mbetet kontraktimi i një operatori ekonomik privat për furnizimin me ushqim, gjë që sipas saj lejohet me ligj dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Kjo është një problematikë serioze ndërtimore që nuk mund të zgjidhet shpejt,” tha ministrja, duke shtuar se drejtori i konviktit do të duhet të vazhdojë me këtë praktikë.
Në raportin e revizionit, Ministria ka marrë vlerësim negativ për saktësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare. (PressOnline.al)


