“Ka njerëz që më thonë: ‘Tani është momenti ta çlirojmë Çairin. Mjaft më!’ Por jo vetëm me ndërrim politikanësh, por me ndryshim të kulturës politike,” deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, para qytetarëve në Çair.
Osmani theksoi se komuna duhet të çlirohet nga kaosi dhe uzurpimi, me rregull të qartë dhe vizion:
“Prej kulturës së korrupsionit të kalojmë në kulturë të ndershmërisë. Prej uzurpimit të pronës shtetërore, drejt rregullit dhe planit. Si është e mundur që 20 vjet të ndërtohet pa plan? Së pari ndërtohet, pastaj bëhet plani urbanistik. Prandaj kemi kaos,” tha Osmani.
Serava me plan urban, jo me ekskavatorë. Çair me vizion, jo me improvizim.
Osmani njoftoi se me mbështetje nga ekspertë urbanistë me renome botërore, Çairi më në fund do të ketë një plan zhvillimor të qartë, të miratuar nga vetë qytetarët:
“Do t’ju tregoj një plan të qartë se si do të duket Serava për 5 dhe 10 vjet. Nuk premtoj se do ta ndërtojmë për një vit, por premtoj se nuk do të lëvizet asnjë gur jashtë planit. Gjithçka do të jetë me rregull dhe me vendimin tuaj. Serava do të bëhet një lagje moderne. Do të shihni se si do të duket rruga juaj, mahalla juaj. Por do të biem dakord: asgjë nuk do të bëhet jashtë planit që do ta miratojmë së bashku më 19 tetor,” theksoi ai.
Osmani paralajmëroi se Çairi do të bëhet komuna më e pastër, më transparente dhe më moderne në shtet: “që t’u lëmë diçka me krenari fëmijëve tanë.”
Osmani u ndal ashpër edhe te praktika e blerjes së votave:
“Njerëzit thonë: ‘Mos u lodh, do t’i blejnë zgjedhjet të shtunën.’ Ky është poshtërimi më i madh për popullin tonë: të mendosh se vullneti i tij mund të blihet. Ne nuk jemi popull që e shet ‘tapinë’ për 1.000 denarë ose për një ekskavator. Tapinë tashmë na e kanë marrë, me faktin që nuk mund të vendosim.”
Ai theksoi se mënyra e vetme për të ndaluar blerjen e votave dhe partizimin e institucioneve është pjesëmarrja masive në votime:
“Kjo është misioni më i madh në historinë tonë: ose do ta legjitimojmë poshtërimin, ose do ta kthejmë dinjitetin. Prandaj ju kërkoj, trokitni në çdo derë, bisedoni me policët, me mjekët, me administratën. Pyetini si ishte para një viti e gjysmë e si është sot,” tha Osmani.
Osmani e përmbylli fjalimin me një mesazh vendimtar:
“Nëse i poshtërojnë ata, na poshtërojnë të gjithë ne. Shqiptarët falin gjithçka, por poshtërimin kurrë. Më 19 tetor, do t’u tregojmë se kë nuk mund ta tërheqin prej veshi.”


