Në tubimin e mbrëmshëm me Forumin e Grave të koalicionit VLEN, kandidati për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, shpalli slloganin e tij zgjedhor: “Çair, për ty”, informon PressOnline.al.
Ai kujtoi kontributin e madh që kjo komunë ka dhënë ndër vite – në arsim, humanizëm, betejat politike, vitin 2001, por edhe në kulturë e muzikë, duke përmendur grupin e parë rok nga Shkupi, “Telex” dhe këngën e tyre të njohur “Vetëm për ty”.
“Vetëm për ty, grua e Çairit, vetëm për ty, fëmijë i Çairit, vetëm për ty, Çair. Kjo nuk është vetëm moto e fushatës, por angazhimi ynë për katër vitet e ardhshme. Gjithë potenciali ynë do të vihet në funksion vetëm për Çairin”, theksoi Mexhiti.
Në garën për Komunën e Çairit janë dy kandidatë, Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN dhe Bujar Osmani nga Besëlidhje Aleanca Kombëtare për Integrim, çka e bën këtë komunë një nga fushëbetejat më interesante të zgjedhjeve të ardhshme.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 19 tetor 2025. (PressOnline.al)







