Edhe mbrëmjen e së enjtes, disa qytete të Serbisë u “pushtuan” nga protesta masive.
Përplasje të forta janë regjistruar në Beograd, Novi Sad, Nish dhe Valjevo.
Në Novi Sad, protestuesit hynë me forcë në ambientet e Partisë Progresive Serbe, duke thyer xhamat, dëmtuar pajisjet dhe hequr kamerat e sigurisë.
Ndërkohë, në Beogradin e Ri, një grup i vogël demonstruesish hodhi fishekzjarrë drejt ambienteve të partisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, ndërsa disa kontejnerë iu vunë flakës. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Përleshje të mëdha janë raportuar edhe përpara Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, ku protestuesit janë përplasur dhunshëm me forcat e rendit.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë, të paktën pesë oficerë policie janë plagosur dhe 14 protestues janë arrestuar.
Prej muajsh, përpara Parlamentit në Beograd, mbështetës të pushtetit kanë ngritur tenda duke bllokuar një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit. Ata vetëquhen “studentë që duan të mësojnë” dhe pretendojnë se kjo është një kundërpërgjigje ndaj protestave masive kundër Qeverisë në të gjithë Serbinë.
Tubimet dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj. Kërkesa kryesore e tyre është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehimi prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
/vizionplus.tv


