Në konferencën për media, Genc Selmani, nga Departamenti i Shëndetësisë në Aleancën për Shqiptarët, akuzoi ministrin e Shëndetësisë për mashtrim publik:
“Ministrit të Shëndetësisë i kanë mbaruar gënjeshtrat. Edhe pasi mori përgjigje negative nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, Azir Aliu vazhdoi të mashtrojë punonjësit dhe opinionin se do të kishte punësim në Spitalin e Tetovës,” tha Selmani, duke shtuar se “kjo është një nga manipulimet më të mëdha të bëra ndonjëherë me personelin shëndetësor”.
—-
Selmani: Ligji është i qartë – punësimet janë të ndaluara
Gjatë së njëjtës konferencë, Selmani theksoi se procesi është në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi:
“Ligji është i qartë – pas shpalljes së zgjedhjeve nuk mund të ketë punësime të reja përveç rasteve urgjente dhe të pashmangshme. Punësimi i stafit mjekësor nuk është urgjencë ligjore kur ekziston personel me kontrata aktive,” theksoi ai.
—-
ASh: Procesi u përdor për marketing politik
Në vijim të konferencës, ai akuzoi ministrin se e ka përdorur situatën për qëllime elektorale:
“Ky proces nuk kishte për qëllim përmirësimin e shëndetësisë, por marketingun politik të ministrit. Lista përfshinte edhe militantë të VLEN-it, gjë që e bën të qartë se kemi të bëjmë me shfrytëzim elektoral të dinjitetit të mjekëve dhe infermierëve,” deklaroi Selmani.
—-
ASh do të çojë çështjen në institucionet kundër korrupsionit
Në përmbyllje të konferencës për media, Selmani paralajmëroi hapa konkretë nga partia e tij:
“Do të dorëzojmë ankesë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe do të kërkojmë hetim të plotë për këtë proces. Vendet e punës duhet t’u takojnë kandidatëve meritorë, jo militantëve partiakë,” përfundoi ai.


