Një 76-vjeçar është arrestuar nga policia italiane, pasi ka kërcënuar me thikë bashkëshorten e tij.
Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në rajonin e Umbrias. Ka qenë një telefonatë në numrin emergjent 112, ajo që ka vënë alarmin te policia e cila ka ndërhyrë menjëherë, duke shpëtuar gruan nga burri dhunues.
Gruaja e të moshuarit, e frikësuar për jetën e saj, ka kërkuar ndihmë pasi burri i saj me probleme shëndetësore, kishte shpërthyer në agresivitet dhe kishte marrë një thikë, me të cilën e kërcënonte.
Agjentët e policisë, të cilët kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, e kanë gjetur burrin në gjendje të rënduar emocionale dhe me thikën ende në dorë. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, ai është qetësuar dhe çarmatosur pa incidente.
Menjëherë pas ngjarjes, 76-vjeçari është dorëzuar pranë stafit mjekësor të shërbimit të urgjencës 118 për trajtim, ndërkohë që është proceduar penalisht për veprën penale të kërcënimit të rënduar.
Thika është sekuestruar nga autoritetet.







