Analisti politik Gazmend Ajdini ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke i quajtur ato pjesë të një strategjie të rrezikshme që synon përjashtimin e shqiptarëve si faktor politik legjitim dhe bashkëthemelues i shtetit.
Në një status të publikuar në Facebook, Ajdini kritikoi Mickoskin për qëndrimin e tij ndaj partive opozitare shqiptare, të cilat sipas kryeministrit “po mundohen që ‘kaurët’ të mos vendosin për udhëheqësit e komunave me shumicë shqiptare, duke përkrahur kandidatët e tij”.
Ajdini theksoi se kjo gjuhë përçmuese dhe etiketimi i qytetarëve maqedonas si “kaurë” nuk është rastësi, por pjesë e një logjike politike që synon të margjinalizojë mbi 30% të qytetarëve të vendit që janë shqiptarë.
“Por i njëjti Mickoski duartroket në ndeshje sportive ku tifozët brohorasin me thirrje shoviniste dhe urrejtjeje si: ‘Shqiptar i mirë – shqiptar i vdekur’ dhe ‘Shqiptarët e mallkuar’. Le ta dijë mirë: kjo nuk është vetëm gjuhë e urrejtjes – kjo është një strategji e rrezikshme për përjashtimin e shqiptarëve si faktor politik legjitim dhe bashkëthemelues i këtij shteti!”, shkroi Ajdini, përcjell PressOnline.al
Ai paralajmëroi se heshtja përballë këtyre mesazheve është e barabartë me bashkëfajësi dhe përkrahje të hapur ndaj urrejtjes dhe shovinizmit.
Reagimi i tij vjen në vazhdën e tensioneve të fundit që shpërthyen pas thirrjeve antishqiptare gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, ngjarje që ka shkaktuar dënime publike, por edhe debate mbi rolin dhe reagimin e politikanëve të lartë të vendit.(PressOnline.al)


