Kryetari i PD, Sali Berisha, akuzoi sërish qeverinë se ka hartuar një Kod Penal i cili dyfishon dhunën ligjore mbi qytetarët.
Në një komunikim me gazetarët, Berisha shfrytëzoi edhe kritikat e institucioneve të sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar projektligjin narko-kod
“Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson Kodi që të vërtetë shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët. Burg për parkime, burg për faturat e dritave, burg për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën tënde, në truallin tënd”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se në Kodin Penal janë futur edhe nene kundër fjalës së lirë, duke sulmuar Gjykatën e Posaçme dhe SPAK-un.
“Atentat madhor kundër fjalës së lirë, mendimit të lirë. Shkohet në atë shkallë sa bëhet një nen për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën. A mundet? Nuk besoj të ketë një vend në botë ku qytetarët, avoketërit, të mos kenë të drejtë të denoncojnë dhe dënojnë padrejtësinë që u bëhen në sallën e gjyqit. Absurditeti i kodit tejkalon çdo kufi”, tha Berisha.
Prej ditës që drafti i Kodit Penal u publikua për herë të parë, kryetari i PD Berisha deklaroi se opozita do të bëjë çdo përpjekje kundër miratimit të tij në parlament./vizionplus.tv




