Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për realizimin e një regjistrimi digjital të popullsisë në vitin 2026, duke e cilësuar këtë nismë si “tentativë për masakër demografike ndaj shqiptarëve”.
“Nuk do të lejojmë manipulim me identitetin, me numrat dhe me të ardhmen e shqiptarëve. Çdo përpjekje për regjistrim të parakohshëm është sulm ndaj paqes, bashkëjetesës dhe themeleve të shtetit,” thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët që e përcjell PressOnline.al.
Sipas ASH-së, regjistrimi i parashikuar për vitin 2026 bie ndesh me standardet ndërkombëtare statistikore dhe udhëzimet e Eurostat-it, që përcaktojnë realizimin e regjistrimeve vetëm në dekada të plota (vitet që përfundojnë me “0” ose “1”).
“Kjo tentativë, e ndërmarrë nga një qeveri monoetnike pa legjitimitet politik shqiptar, është tendencioze, e papranueshme dhe provokuese, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë ndarjen diskriminuese të popullsisë në ‘rezidentë’ dhe ‘jo-rezidentë’,” thekson më tej ASH.
Partia opozitare shqiptare akuzon VMRO-DPMNE-në për një “plan të errët” për të deformuar realitetin demografik në vend dhe për të minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit.
“Ne i paralajmërojmë publikisht VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Mickoski se nuk do të lejojmë zbatimin e një regjistrimi të tillë të manipuluar dhe se do të përballen me shqiptarët – me popullin, me organizatat dhe me forcat e vërteta demokratike, jo me përfaqësuesit e VLEN-it që po e justifikojnë çdo hap të kësaj qeverie antishqiptare me kokën në thes,” thekson ASH.
Sipas partisë, regjistrimi është pjesë e një strategjie më të gjerë të ndikimeve nacionaliste dhe rajonale:
“Regjistrimi i popullsisë nuk do të ndodhë sipas vullnetit të Mickoskit, as sipas agjendave të ndikuara nga ‘Bota Serbe’.”
Në përfundim, Aleanca për Shqiptarët paralajmëron për mobilizim të përgjithshëm qytetar, politik dhe institucional për mbrojtjen e të drejtës së shqiptarëve për përfaqësim të drejtë, barazi dhe dinjitet në shtet.
“Ne nuk do të lejojmë një masakër demografike! Shqiptarët nuk janë statistikë që manipulohet – janë themel i këtij shteti dhe aktorë vendimtarë të së ardhmes së tij,” përmbyllet reagimi i ASH-së.



