Brukseli jep sinjal të qartë, por Ballkani s’del nga cikli i konfliktit

featured
Press Online
19 Qershor 2026, 10:43

Pas votimit të Parlamentit Evropian për Raportin mbi progresin e Maqedonisë të përgatitur nga raportuesi Tomas Vajc, qëndrimi është i qartë: Korniza negociuese është e pastër, njësoj si për të gjitha vendet e tjera. Brenda “propozimit francez” ekzistojnë protokolle që duhet të respektohen, ndërsa Komisioni historik duhet të inkurajohet të punojë, shkruan PressOnline.al

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ndërkohë deklaroi dje se ai nuk është kusht për negociata dhe nuk mund të jetë objekt bllokimi i rrugës evropiane të Maqedonisë. Eurodeputetët një ditë më parë e hodhën poshtë amendamentin 3, të propozuar nga Vajc, me të cilin kërkohej të fshihej paragrafi 73 i rezolutës së ardhshme, që i bën thirrje Komisionit të Përbashkët Historik të arrijë “rezultate të qarta dhe të prekshme”, duke e bazuar punën e tij në “burime dhe dokumente historike objektive, autentike dhe të dëshmuara”, në përputhje me Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Teksti përfshin edhe konceptin e “historisë së përbashkët”.

“Kemi një kornizë të pastër, të drejtat e pakicave duhet të respektohen dhe për këtë është e nevojshme që bullgarët, së bashku me kroatët dhe pakica të tjera, të përfshihen në Kushtetutë. Edhe komisioni historik duhet të punojë; shumë vende kanë pasur komisione të tilla të përbashkëta. Komisioni nuk është bazë për një bllokadë të re apo për çfarëdo bllokimi në procesin e integrimit”, deklaroi Filipçe.

Sa i përket Komisionit historik, ai u takua për herë të fundit në fillim të qershorit, ndërsa puna e tij prej disa vitesh është bllokuar te shekulli i njëmbëdhjetë, përkatësisht te libri i historisë për klasën e shtatë në Maqedoni dhe të gjashtën në Bullgari. Takimi i radhës i komisionit të përbashkët do të mbahet në shtator në Sofje.

Angel Dimitrov, bashkëkryetar i komisionit nga pala bullgare, në një deklaratë për mediat bullgare pas votimit të raportit për Maqedoninë në PE, tha se komisioni mblidhet rregullisht, por “punon në ngërç”.

“Ende po i shqyrtojmë librat e historisë për klasën e shtatë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe ende jemi në shekullin e 11-të. Axhenda e takimeve tona nuk ka ndryshuar prej tre vitesh. Ajo që na pengon është mungesa absolute e gatishmërisë së kolegëve tanë për të pranuar fillimisht përkufizimin e historisë së përbashkët, dhe prej aty vjen bllokada konkrete. Kjo është mungesa e tyre e gatishmërisë për të pranuar se Kryepeshkopata e Ohrit është një institucion i krijuar nga perandori bizantin Vasil II si një përpjekje politike për të ruajtur stabilitetin në perandori, përkatësisht për t’i dhënë të gjitha të drejtat e mundshme popullsisë që ishte nën juridiksion fetar të Patriarkanës Bullgare në Mbretërinë e Parë Bullgare para rënies së saj. Nga kjo kanë frikë kolegët tanë, sepse për ta kjo është edhe një çështje politike bashkëkohore. Kisha e tyre aktuale paraqitet si trashëgimtare direkte e Kryepeshkopatës së Ohrit dhe madje e përfshin këtë emër në emërtimin e saj zyrtar”, deklaroi Dimitrov, përcjell PressOnline.al

Ish-deputetja dhe kryetarja e mëparshme e DOM-it, Liljana Popovska, vitin e kaluar në korrik dorëzoi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Protokollit nga takimi i dytë i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë, i mbajtur më 17 korrik 2022 në Sofje, por gjykata ende nuk është prononcuar për të. Sipas saj, protokolli është juridikisht i pavlefshëm sepse nuk është ratifikuar në Kuvend dhe nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Gjykata Kushtetuese ka hapur lëndë, por nuk ka caktuar ende seancë publike, deklaron Popovska për “Slloboden Peçat”. Sipas saj, nëse Gjykata Kushtetuese e shpall protokollin jokushtetues, atëherë ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe nuk do të mund të kërkohet zbatimi i tij nga shteti.

– Nëse protokolli shpallet i pavlefshëm, pala bullgare duhet të njoftohet për ndryshimin e situatës juridike, duke krijuar mundësi për të diskutuar Kornizën negociuese pa këtë protokoll. Nuk është e vërtetë se vetëm ndryshimet kushtetuese janë kusht për fillimin e negociatave me BE-në. Ekziston një paketë e tërë masash për hapjen e negociatave që përfshihet në Protokollin e Dytë – ndryshim librash, programesh dhe përmbushje e të gjitha kërkesave të Bullgarisë, gjë që është një mision i pamundur – thotë Popovska.

Nga Gjykata Kushtetuese, deri në publikimin e tekstit, nuk dhanë përgjigje se deri ku ka arritur procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Protokollit të Dytë.

Për kujtesë, Parlamenti Evropian miratoi raportet vjetore për progresin e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Në raport theksohet se Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë obligimet e ndërmarra lidhur me ndryshimet kushtetuese, duke rikujtuar qëndrimin e Këshillit të Bashkimit Evropian se konferenca e ardhshme ndërqeveritare mund të mbahet vetëm pas realizimit të ndryshimeve të nevojshme kushtetuese.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter