Projektligji për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, që ka për qëllim të rregullojë mënyrën e përfaqësimit të komuniteteve në institucionet shtetërore, ende nuk është dërguar për mendim në Komisionin e Venedikut. Megjithatë, sipas burimeve të portalit PressOnline.al, Qeveria planifikon që gjatë javës së ardhshme ta dorëzojë zyrtarisht këtë dokument për shqyrtim ndërkombëtar.
Ky hap vlerësohet si vendimtar për të siguruar një vlerësim të pavarur dhe për të shtuar besueshmërinë e ligjit në përputhje me standardet evropiane dhe kushtetutën e vendit. Gjatë hartimit të projektligjit janë përfshirë praktika të shteteve partnere si SHBA dhe disa vende të BE-së.
Ndërkohë, situata ligjore është ndërlikuar nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar ndarjen e popullsisë në kategori “rezidente” dhe “jo rezidente” në regjistrimin e vitit 2021. Sipas Qeverisë, kjo nuk do të ndikojë drejtpërdrejt në projektligjin për përfaqësim, por pritet që çështja të adresohet përmes akteve nënligjore dhe metodologjisë që do të miratohet pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Gjithashtu, vendimi i Kushtetueses pritet të ketë ndikim në mënyrën se si llogaritet numri i këshilltarëve komunalë dhe shpërndarja e mjeteve buxhetore për komunat, çka do të jetë temë diskutimi në ditët në vijim në mesin e partnerëve qeveritarë. (PressOnline.al)



