Aleanca për Shqiptarët: Ligj i VLEN-it – Draft i Tanjës! Përfaqësimi i drejtë, i dorëzuar me krenari në duart e diskriminimit

featured
Press Online
25 Qershor 2025, 10:18

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi në seancën e djeshme Propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucione, një akt që ka nxitur reagime të ashpra nga Aleanca për Shqiptarët, e cila e cilëson këtë ligj si një hap mbrapa në drejtim të barazisë dhe përfaqësimit real të shqiptarëve.

Në një deklaratë të publikuar sot, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se ligji i miratuar nuk vetëm që nuk garanton barazi, por e çon përfaqësimin e shqiptarëve drejt një “përjashtimi të heshtur institucional”. Sipas tyre, ky projektligj nuk siguron mekanizma të matshëm për përfaqësim proporcional dhe nuk përmban asnjë dispozitë ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë atë.

“Çdo ligj që nuk garanton matje proporcionale, nuk parashikon sanksione dhe nuk e trajton përkatësinë etnike si kategori të domosdoshme për politika publike, është ligj për dekor e jo për drejtësi,” thuhet në deklaratë.

Partia kritikon ashpër faktin se ligji është hartuar nga Tanja Karakamisheva-Jovanovska, për të cilën thonë se është e njohur për qëndrimet e saj kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe përpjekjet për të relativizuar përfaqësimin etnik.

Një nga pikat më të debatuara është heqja e mekanizmit të balancuesit, i cili deri më tani ofronte mundësi për monitorim statistikor të përfaqësimit. Në vend të tij, ligji parashikon krijimin e një “Trupi Koordinues”, pa kompetenca ekzekutive dhe pa të drejtë sanksionimi, gjë që Aleanca e cilëson si një strukturë formale dhe joefektive.

“Ky është një dokument i pafuqishëm, pa dhëmbë, dhe i krijuar për të mos pasur ndikim,” thekson Aleanca për Shqiptarët.

Po ashtu, kritika të forta drejtohen edhe ndaj përfaqësuesve shqiptarë të koalicionit VLEN në qeveri, të cilët, sipas Aleancës, po tregojnë entuziazëm për një ligj që i dëmton vetë qytetarët që pretendojnë t’i përfaqësojnë.

Aleanca kërkon që Kuvendi të ndalojë avancimin e këtij projektligji dhe të nisë një proces të ri, transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen aktive të përfaqësuesve shqiptarë dhe ekspertëve të komunitetit.

“Ky nuk është moment për heshtje dhe aq më pak për vetëkënaqësi të përfaqësuesve jolegjitim të VLEN-it – është moment për rezistencë politike me të gjitha mekanizmat demokratikë,” përfundon reagimi.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter