Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa ndaj të gjitha vendeve, ka nxitur reagime në mbarë botën. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i bëri thirrje kreut të Shtëpisë së Bardhë që t’i adresojë shqetësimet e tij përmes dialogut.
“Më vjen keq për këtë zgjedhje. Duket se nuk ka asnjë rregull në këtë kaos. Asnjë rrugë e qartë përmes kompleksitetit dhe kaosit që po krijohet, teksa të gjithë partnerët tregtarë të SHBA-së po goditen”, tha Von der Leyen.
Lexo edhe :
Related Posts
Von der Leyen ka theksuar se unioni është i gatshëm që t’i përgjigjet këtyre masave.
“Në të njëjtën kohë, ne jemi të përgatitur të përgjigjemi.Tashmë jemi duke finalizuar paketën e parë të kundërmasave në përgjigje të tarifave për çelikun.Dhe tani po përgatitemi për kundërmasa të mëtejshme, për të mbrojtur interesat dhe bizneset tona nëse negociatat dështojnë.Ne gjithashtu do të vëzhgojmë nga afër se çfarë efektesh indirekte mund të kenë këto tarifa”, tha Presidentja e Komisionit Evropian.
Kina po ashtu u zotua për “kundërshtim të fuqishëm” të tarifave amerikane ndaj eksporteve të saj dhe theksoi se do të ndërmarrë kundërmasa për të ruajtur të drejtat dhe interesat e saj. Edhe kryeministri kanadez u zotua se do të ketë një kundërpërgjigje nga vend i tij.
Për shkak të vendimit të Trump, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të takohet sot me përfaqësuesit e sektorëve francezë “të prekur nga tarifat” amerikane.
Italia, ndërkaq, kritikoi vendimin amerikan duke i kërkuar BE-së që të arrijë një marrëveshje, pasi një luftë tregtare “do ta dobësonte perëndimin”.
Japonia, tha se vendimi i Trumpit është për keqardhje, duke shtuar se tarifat e reja mund të zhbëjnë marrëveshjen tregtare që kanë dy shtetet.
Nga ana tjetër bursat evropiane u hapën me rënie të thellë me hyrjen në fuqi të tarifave amerikane. Në tregjet financiare është rikthyer klima e shqetësimit për një luftë tregtare, me analistët që konstatojnë një rritje të rreziqeve për një recesion global.
Bursa e Frankfurtit, ajo e Parisit dhe e Londrës ranë përkatësisht me minus 2.4, minus 2.15 dhe minus 1.43 për qind.
Të njëjtin fat patën edhe bursat aziatike, me ato të Tokios dhe Hong Kongut që ranë me minus 2.8 dhe minus 1.6. Po ashtu, edhe bursa e Shangait, e Seulit dhe Mumbait shënon rënie./vizionplus.tv



