Koha e maskarenjve!

featured
Press Online
29 Dhjetor 2024, 20:09

Humbet vlera e të diturit, kur ulet në shkallën e injorantit sepse ata të mundin me përvojën, mbrojnë njëri-tjetrin dhe sulmojnë në grup! Për tu ardhur keq, por e vërtetë!

Nga Mimoza Mustafai Jonuzi

“Aty ku lartësohet injoranti poshtërohet i dituri”!

Thuhej se do të vijë koha ku maskarenjtë, të paditurit, të pa edukuarit, injorantët, do të “mbisundojnë” mbi të arsimuarin, mbi të diturin, mbi të drejtin, mbi atë që ec me parime në jetë!

JO! Po e korrigjojë këtë gjë, nuk pritet të vijë ajo kohë, ne jemi pjesë e asaj kohe, ne po e jetojmë atë kohë. Po jetojmë kohën e maskarenjve!

I dituri ka frikë të flasë nga përqeshjet e injorantit, i moralshmi ka frikë se mos sulmohet nga i pamoralshmi, i ndershmi frikohet nga hajnat. Respektohet ai i cili shkelë mbi çdo parim jetësor, ai cili mundohet të sjellë ndryshimin për një jetë më të mirë anashkalohet, ndërsa lartësohet ai i cili me dallavere e rrena e një mijë të zeza e paraqet veten si engjëll të pafajshëm.

Si mund disa që i thonë vetes intelektual të bien pre e këtij sistemi degjenerues? Kujt i leverdisë largimi nga skena i njerëzve të zgjuar?
Nga se kanë frikë?

Këtu ka vetëm një përgjigje, nga mos dija e tyre!
Ky po që është një fakt që s’e luan topi!
Për interesa personale edhe “engjëjt” bëjnë paqe me djallin!

Derisa ky fenomen nuk merr fund, i zgjuari, i arsimuari, i kulturuari gjithmonë do të shkelet nga injoranti, nga i padituri që flet vend e pa vend dhe në fund as vet nuk e ka idenë se çfarë ka dashur autori të thotë me fjalët që i ka lëshuar nga goja vetëm e vetëm për të ulur dhe poshtëruar të tjetrët.

Është me lehtë të besohet dhe pranohet injoranca se sa e vërteta, sepse për të vërtetën duhet të lexosh, duhet të kesh argumente dhe fakte, thënë shkurtë duhet nxehur karrigia për të kthyer një përgjigje të saktë, që ka peshë dhe vlerë.

Njerëzit priren t’i pranojnë gjërat më të lehta dhe ta hanë sapunin për djathë, sepse në atë rreth janë rritur! Duhet dal nga guacka e rehatisë, duhet parë me sy kritikë çdo gjë që na servohet, jo çdo gjë që dëgjojmë është e vërtetë, por çdo veprim i ndërtuar në bazë të fakteve mund të jetë i vërtetë!

Dhe këtu nis dhe humbet vlera e të diturit, kur ulet në shkallën e injorantit sepse ata të mundin me përvojën, mbrojnë njëri-tjetrin dhe sulmojnë në grup!

Për tu ardhur keq, por e vërtetë!

Sado të paktë që janë njerëzit që kanë vlera, duhet të gjejnë dritën në tunelin e errët dhe ta nxjerrin vendin nga kjo humnerë që po shkon! Në mos për vete këtë ua kemi borxh brezave të rinj.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter