Regjistrimi i fundit tregoi se popullsia po plaket. Të rinjtë largohen dhe të moshuarit qëndrojnë vetëm. Ata që nuk janë në gjendje të jetojnë vetëm mund të strehohen në një shtëpi publike ose private. Qytetarët ankohen për çmimet e larta të banesave private, ndërsa banesat publike janë vetëm pesë dhe nuk kanë staf të mjaftueshëm.
Kostoja financiare nëse vendosni të punësoni një person që do të kujdeset për prindin në shtëpi varet nga numri i orëve të punës, por mesatarisht për 8 orë pune 5 ditë në javë do t’ju kushtojë rreth 15.000 denarë. Kostoja e qëndrimit në një shtëpi pleqsh varet nëse ajo është publike apo private.
Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë 5 institucione publike dhe 40 institucione private për strehimin e të moshuarve. Pothuajse nuk ka shtëpi private ku çmimi për strehimin e të moshuarve është më i ulët se 30.000 denarë. Çmimet në shtëpitë shtetërore variojnë nga 160 euro e lart.
Në repartin “Nënë Tereza” në kuadër të Institutit Gerontologjik 13 Nëntor, akomodimi mujor kushton 18.000 denarë. Ka një kapacitet prej 111 shtretërish, por vetëm 60 për qind e tyre janë të mbushura, pasi nuk ka staf të mjaftueshëm për t’u kujdesur për të gjithë përdoruesit. Dhe aty lista e pritjes është e hapur, shkruan REL, përcjell PRESSonline.al
Ndryshe, numri i shtretërve në shtëpitë publike është 637 shtretër, ndërsa kapaciteti i përgjithshëm në të gjitha shtëpitë private në mbarë vendin është 1595 shtretër.
Në kuadër të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, deri më tani janë krijuar dhe mbështetur 22 projekte për futjen e shërbimeve sociale në 27 komuna në të gjithë vendin. Mbështetje konkrete ofrohet edhe për zhvillimin e llojeve të ndryshme të shërbimeve sociale në nivel vendor, si: ndihmë dhe kujdes në shtëpi, qendra për plakjen aktive dhe qendra ditore për personat me aftësi të kufizuara. Mbi 300 persona janë trajnuar dhe licencuar për të ofruar shërbimet, të cilët ofrojnë mbështetje dhe kujdes profesional për rreth 1000 përdorues.
Përmes thirrjes së dytë publike janë përzgjedhur edhe 12 projekte në 17 komuna, të cilat janë në fazën e licencimit dhe përgatitjes për zbatimin e shërbimeve sociale. Pritet që nga mesi i vitit të fillojnë ofrimin e shërbimeve për përdoruesit.
Regjistrimi i fundit tregoi se popullsia në Maqedoninë e Veriut po plaket. Vendbanimet me më së shumti popullatë të re nën moshën 14 vjeçare janë: Çairi, Aerodromi dhe qytetet Kumanovë dhe Tetovë, ndërsa me popullatë të vjetër 85 vjeç e lart janë komunat e Shkupit – Karposhi, Qendra dhe qytetet e Manastirit, Prilepit, Velesit, Ohrit etj.
Të dhënat e regjistrimit tregojnë se në vend jetojnë rreth 5000 persona mbi 85 vjeç, mbi 8600 mbi 80 vjeç, mbi 11500 mbi 75 dhe 51 persona mbi 100 vjeç.(PRESSonline.al)



