“Ne do të udhëheqim institucionet e rëndësishme nga sektori i punëve të brendshme, të cilat janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit, për të luftuar fuqishëm dhe drejtpërdrejt kundër krimit dhe korrupsionit të shumëanshëm dhe të kahershëm”, tha kryetari i Alternativës dhe pjesë e koalicionit Vlen, Afrim Gashi, informon PRESSonline.al
Kryetari i Alternativës dhe pjesë e koalicionit Vlen, Afrim Gashi, tashmë ka ndarë resoret në qeveri, e cila do të udhëhiqet nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, edhe para votimit të 8 majit. Partneri i koalicionit të Gashit, Izet Mexhiti, pas 8 majit do të diskutojë nëse Vlen do të jetë pjesë e qeverisë së re me VMRO-DPMNE-në, ndërsa Mickoski tashmë ka bërë të ditur se në pushtetin ekzekutiv, përveç në Vlen-in, llogarit edhe në ZNAM-in e Maksim Dimitrievskit për të siguruar dy të tretat e shumicës parlamentare. ZNAM, në anën tjetër, do të negociojë pasi t’i shohë rezultatet pas zgjedhjeve, kurse Levica, pasi e refuzoi moratoriumin e mossulmim nga ana e Mickoskit, tani po i ofron VMRO-DPMNE-së platformë për bashkim kombëtar.
Nga ana tjetër, LSDM pas disfatës në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, beson se në ditët e mbetura deri në zgjedhje do t’i bindë qytetarët se vetëm ajo ofron të ardhmen evropiane të Maqedonisë dhe se do të vazhdojë të qeverisë. BDI-ja tha se kalkulimet e Mickoskit nuk vlejnë për një Qeveri pa “integristët”, sepse qytetarët e jo VMRO-DPMNE vendosin se kush do të ulet në “Ilindenska”.
Këto janë qëndrimet e sublimuara të aktorëve kryesorë politikë përpara votimit për zgjedhjet parlamentare.
Gashi: Vlen-i do të jetë pjesë e qeverisë së re
Gashi konfirmoi se Vlen-i do të jetë pjesë e qeverisë së re, sepse, siç thotë ai, vetëm ata janë përfaqësuesit e vetëm dhe legjitim të shqiptarëve në zgjedhje, sepse në Frontin Evropian, në krye me BDI-në, ka edhe parti të turqëve, romëve dhe boshnjakëve.
“Kjo na detyron të përfaqësojmë shqiptarët edhe në qeverinë e ardhshme, ku ndër të tjera do të menaxhojmë institucione të rëndësishme nga sektori i punëve të brendshme, të cilat janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit për të luftuar fuqishëm dhe drejtpërdrejt kundër krimit dhe korrupsionit të kahershëm dhe të shumëanshëm” – tha Gashi, përcjell PRESSonline.al
Ai shtoi se Vlen mbetet në qëndrimin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese brenda një afati të caktuar dhe se koalicioni është garanci për këtë. Nga ana tjetër, Mexhiti nuk saktëson se kur sipas tij do të hapej Kushtetuta dhe as nëse ky do të mbetet kushti i tyre për të hyrë në qeverinë e re.
“Ne jemi të fokusuar në promovimin e programit tonë, jemi të bindur se do të kemi legjitimitetin e shqiptarëve. Badenterin do ta kemi, ky është fokusi ynë deri më 8 maj dhe më pas do të biem dakord për pikat për negocim. Ne nuk duam me asnjë çmim të jemi pjesë e një qeverie që nuk është evropiane – tha Mexhiti.
Sipas Mexhitit, Levica është e vetmja parti që është antievropiane dhe nuk dëshirojnë të hyjnë në koalicion me ta. Dhe ai, sikurse Gashi, beson se BDI-ja nuk mund të thirret më për të përfaqësuar shqiptarët.
“Me koalicion me partitë e komuniteteve tjera më të vogla, BDI zgjodhi të jetë opozitë. Të gjithë e dimë se VMRO-ja duhet të udhëheqë qeverinë e re dhe ata tashmë kanë një parti turke, boshnjake, rome në koalicion. Asgjë nuk shkon në favor të BDI-së. Jemi i vetmi opsion shqiptar dhe jemi të bindur se në zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të jemi përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve si fitues me numrin më të madh të votave nga shqiptarët, me numrin më të madh të deputetëve shqiptarë në parlament, do të kemi një shumicë të Badenterit, gjegjësisht i kemi të gjithë faktorët që shkojnë në favor të ndryshimit real të kësaj Qeverie – tha Mexhiti, përcjell PRESSonline.al
Mickoski ritheksoi se koalicioni i ardhshëm qeveritar do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE dhe në të do të marrë pjesë edhe koalicioni Vlen.
BDI-ja e konsideron poshtërues faktin se partitë pajtohen për koalicione para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
“Nuk është e drejtë të flitet për koalicione para qytetarëve pa dëgjuar vullnetin e tyre. Kushdo që flet për atë temë po nënçmon njerëzit që ende nuk kanë votuar” – tha Osmani.
Sipas tij, deklarata e Mexhitit se partitë maqedonase nuk duan të bëjnë koalicion me BDI-në është një logjikë e shtrembëruar dhe është fyese.
“Qëllimi ynë nuk është të na simpatizojnë. Ajo logjikë e shtrembëruar se partitë politike shqiptare duhet të luftojnë për simpati në mesin e partive maqedonase është fyese. Është edhe më fyese të flitet për koalicion nëntë ditë para zgjedhjeve. Fakti që partitë politike bëjnë kalkulime, për mua është nënvlerësim i demokracisë dhe dinjitetit të çdo populli – konsideron Osmani.
Osmani: Parullat e VMRO-DPMNE-së janë nënçmuese për shqiptarët
Sipas tij, parullat e VMRO-DPMNE-së janë përpjekje për të nënçmuar dinjitetin e shqiptarëve.
“Të bësh thirrje që shteti të jetë sërish i yti është thirrja më e turpshme dhe shoviniste që mund të bëhet në një shoqëri multietnike. Arriti të acaronte një nerv te çdo shqiptar, në çdo familje shqiptare që mendonim se fshihej thellë. Solli një kujtim nga koha e Jugosllavisë, kur Beogradi jugosllav thoshte se si të doni, Rrahman Morina është ai që do t’ju përfaqësojë dhe Morina qeshte me cinizëm. Kjo përpjekje për të nënçmuar dinjitetin e çdo shqiptari e mobilizoi popullin – tha Osmani dhe i tha Mickoskit se përgjigjen do ta shohë më 8 maj.
Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski thotë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë të vështira, por nuk do të heqë dorë nga e ardhmja evropiane dhe lufta për rezultat më të mirë.
“E di që një numër i madh i qytetarëve ende nuk kanë vendosur se për kë do të votojnë. Prandaj i ftoj të mendojnë me kujdes se kush e meriton të udhëheqë vendin. Është mirë që ata të mendojnë nëse duan të votojnë “pro” apo duan të votojnë “kundër”. Votimi “kundër” nuk i sjell mirë Maqedonisë. Vetëm nëse votojmë “pro” mund të ecim përpara dhe të ndërtojmë një vend më të mirë për fëmijët tanë, një vend në të cilin ata do të duan të jetojnë – thotë Kovaçevski, përcjell PRESSonline.al



