Gazment Bardhi thotë se drejtësia i është dorëzuar korrupsionit pas dërgimit sot në gjykatë të dosjes së deputetes Belinda Balluku dhe mosparaqitjes së një kërkese të dytë në Kuvend për heqjen e imunitetit.
Sipas kreut të grupit të PD, Prokuroria e Posaçme ka kaluar standardin e dyfishtë dhe barazisë para ligjit. Ai nuk pranon përgjigjen e Klodian Brahos për t’u bazuar te arsyetimi i mazhorancës që rrëzoi në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut. Sipas tij, është kryeministri Edi Rama që vendos për politikat e SPAK.
Bardhi thotë se me vendosjen e kufijve të hetimit është cenuar pavarësia e drejtësisë, ndarja dhe balancimi i pushteteve.
Ai shprehet se SPAK është penguar të hetojë në mënyrë të plotë e të gjithanshme për Belinda Ballukun. Bardhi kërkon sqarime për standardet hetimore që janë përdorur ndaj të pandehurve, një përgjigje se ku janë gjetur paratë në vilën e pushimit të Ballukut, si dhe a është kontrolluar kërkesa e saj.
Reagimi i plotë:
Dërgimi sot në gjykatë i dosjes së Belinda Ballukut konfirmoi një të vërtetë të rëndësishme: Korrupsioni dirigjohet nga maja e qeverisë.
Belinda Balluku është zyrtarja me akuzat më të rënda që nga ngritja e SPAK-ut: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe pabarazi në tendera – 15 krime. Vetëm për tenderin e Llogarasë, SPAK thotë se dëmi (vjedhja) është rreth 60 milionë euro dhe se vetëm dy nga vilat që janë faktuar deri tani si pjesë e korrupsionit të saj, kushtojnë 1.8 milionë euro.
Megjithatë, SPAK zgjodhi pazaret politike me Edi Ramën përpara parimit themelor të një shteti demokratik: barazisë para ligjit. SPAK e çoi dosjen në gjykatë me 4 akuza të reja dhe me prova të reja, mes të cilave edhe dy vilat e fshehura me vlerë 1.8 milionë euro, por nuk solli në Kuvend një kërkesë të re për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj, duke iu nënshtruar vullnetit korruptiv dhe antidemokratik të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Klodian Braho ka pranuar sot se për të marrë një vendim të tillë SPAK u mbështet te arsyetimi i shumicës parlamentare, kur kjo shumicë, nën drejtimin e Edi Ramës dhe pengmarrjen nga Belinda Balluku, rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj. Kjo nuk do të thotë as më shumë e as më pak, por që Edi Rama vendos për politikën penale të SPAK-ut. Me vendimet në Parlament dhe me zbatimin e tyre prej SPAK-ut, Edi Rama vendos kush arrestohet dhe kush jo.
Ky është më shumë sesa një standard i dyfishtë! Është edhe më shumë se shkelje e barazisë para ligjit. Ky është dorëzim i drejtësisë tek korrupsioni dhe ndarje e pushtetit të korruptuar me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun.
Kushtetuta e përcakton qartë se Kuvendi nuk është prokurori dhe Edi Rama nuk është drejtuesi i SPAK-ut! Vendimi politik i shumicës nuk mund të diktojë hetimet dhe vendimmarrjen e një institucioni të pavarur të drejtësisë, gjithmonë, nëse drejtësia vendos ligjin para interesit politik.
Rasti i Belinda Ballukut ka zhbërë një investim 10-vjeçar të partnerëve perëndimorë dhe ka damkosur SPAK-un si një institucion në varësi të Edi Ramës, sepse, për të njëjtën dosje, drejtësia nuk mund të ketë një standard për Evis Berberin dhe një tjetër për Belinda Ballukun. Minimalisht, kjo do të thotë se hetimet për Belinda Ballukun janë të paplota.
Kur Kuvendi i përcakton kufijtë e hetimit, cenohet pavarësia e drejtësisë! Në momentin kur Kuvendi i përcakton SPAK-ut standardin dhe kufijtë e zbatimit të ligjit dhe prokurorët e pranojnë këtë si normalitet, parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve merr një goditje të rëndë. Nëse prokuroria e kushtëzon veprimtarinë e saj me vullnetin e shumicës parlamentare, atëherë lind një problem serioz për pavarësinë e saj dhe për besimin e qytetarëve te drejtësia.
Mosheqja e imunitetit të Belinda Ballukut ka penguar SPAK-un të ushtrojë të gjitha mjetet procedurale të nevojshme për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Kjo ngre një çështje thelbësore: a u zbatua i njëjti standard hetimor për të gjithë të pandehurit? Nëse provat janë siguruar kryesisht përmes kontrollit personal të të pandehurit Evis Berberi, përse nuk iu nënshtrua të njëjtës masë procedurale edhe Belinda Balluku? Nëse të dhënat e hetimit janë siguruar përmes kontrollit të banesës së Evis Berberit, përse nuk u kërkua zbatimi i të njëjtit standard edhe për banesën e Belinda Ballukut?
Këto nuk janë pyetje dytësore. Janë pyetje thelbësore për barazinë para ligjit, për paanshmërinë e hetimit dhe për besueshmërinë e vetë SPAK-ut. Përgjigjja që kërkohet është e qartë: përse nuk u ndoq i njëjti standard procedural për të dy të pandehurit? Përse SPAK-u nuk e rikërkoi në Kuvend autorizimin për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, në mënyrë që hetimi të mund të vijonte me të gjitha mjetet procedurale që parashikon ligji?
Kur një hetim kufizohet nga pengesa politike dhe organi i akuzës nuk ndërmerr të gjitha hapat institucionalë për t’i kapërcyer ato, publiku ka të drejtë të kërkojë shpjegime. Pavarësia e drejtësisë nuk provohet me deklarata, por me vendime dhe veprime konkrete, sidomos kur përballë ligjit qëndrojnë njerëz me pushtet politik.
Dhe ka një tjetër çështje, për të cilën SPAK-u duhet të japë një përgjigje të qartë dhe publike: A është gjetur kutia me tufa eurosh në vilën e pushimit të Belinda Ballukut? Nëse jo, a është kontrolluar banesa e saj për të verifikuar nëse paratë mund të jenë zhvendosur atje?
Këto janë pyetje që nuk mund të mbeten pa përgjigje. Nëse bëhet fjalë për para që dyshohet se burojnë nga korrupsioni apo nga abuzimi me fondet publike, detyrimi i institucioneve është të hetojnë origjinën e tyre, të identifikojnë përgjegjësit dhe, nëse provohet paligjshmëria, të sigurojnë konfiskimin dhe kthimin e tyre në interes të qytetarëve shqiptarë.
Ligji nuk mund të jetë i rreptë për ata që nuk kanë pushtet dhe i negociueshëm për ata që e ushtrojnë atë. Imuniteti nuk mund të shndërrohet në mburojë nga hetimi dhe pavarësia e SPAK-ut nuk mund të varet nga vullneti i shumicës parlamentare. Shqiptarët nuk kërkojnë drejtësi selektive. Kërkojnë që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë. Pa përjashtime, pa standarde të dyfishta dhe pa mburoja politike.


