Një tragjedi ka goditur familjen e aktores dhe prezantueses së njohur britanike Lisa Maxwell. Vajza e saj, Beau Jessup, ka ndërruar jetë papritur në moshën 27-vjeçare, ndërsa ndiqte studimet për gazetari në Universitetin Columbia të Nju Jorkut.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga universiteti amerikan, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqtë dhe kolegët e së resë. Ende nuk janë bërë publike shkaqet e vdekjes, ndërsa mbeten të paqarta edhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Beau ishte vajza e aktores Lisa Maxwell, e njohur për pjesëmarrjen në emisionin britanik “Loose Women” dhe serialin policor “The Bill”. 27-vjeçarja kishte studiuar më parë në London School of Economics dhe Universitetin e Kembrixhit, përpara se të transferohej në Shtetet e Bashkuara.
Ajo pritej të përfundonte studimet në Columbia në maj të vitit të ardhshëm dhe ëndërronte një karrierë si gazetare dhe shkrimtare. Por Beau kishte tërhequr vëmendjen ndërkombëtare shumë përpara studimeve universitare.
Në moshën 16-vjeçare, ajo krijoi një biznes inovativ që ndihmonte prindërit kinezë të zgjidhnin emra në anglisht për fëmijët e tyre. Përmes platformës “Specialname”, ajo kishte ndihmuar në përzgjedhjen e emrave për mbi 250 mijë fëmijë.
Vetëm gjatë adoleshencës, biznesi i kishte sjellë rreth 48 mijë paund të ardhura. Suksesi i saj u bë aq i njohur sa ajo mbajti edhe një fjalim TED për përvojën sipërmarrëse. Universiteti Columbia e përshkroi Beau si një anëtare shumë të dashur të komunitetit akademik, ndërsa humbja e saj ka shkaktuar trishtim të thellë mes studentëve dhe pedagogëve.


