SPAK-u dha pretencën për grupin kriminal të Emiljano Shullazit duke kërkuar në total 158 vjet burg për 7 të pandehur. Dosja përfshin tri vrasje të vitit 2005, atë të Vajdin Lamajt e Artan Arsit në Tiranë dhe të Klodian Saliut, në atentatin ku mbeti i plagosur edhe Osman Truma. Atentati ndaj Saliut erdhi pas ndarjes së Bandës së Durrësit në dy grupe rivale.
SPAK-u kërkoi 25 vjet burg për Emiljano Shullazin, i akuzuar për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit. Për të njëjtin atentat, Prokuroria e Posaçme kërkoi nga 25 vjet edhe për Viktor Bajraktarin e Indrit Taullain, i akuzuar edhe për episodin e vrasjes së Saliut. Vetëm për Luftar Reçin si bashkëpunëtor i drejtësisë, SPAK-u kërkoi dënimin me 8 vite heqje lirie.
Lamaj dhe Arsi u vranë në shkurt të 2005-ës, nga shpërthimi i tritolit i vendosur në ashensorin e njërës prej kullave pas stadiumit “Qemal Stafa”. Lënda plasëse u aktivizua me telekomandë.
Për episodin tjetër, vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, SPAK kërkoi nga 25 vjet burg për Lulzim Berishën, Plaurent Dervishajn, Indrit Rusin, ndërsa të akuzuar janë edhe Indrit Taullai e Luftar Reçi. Të pestë akuzohen edhe për tentativën e vrasjes së Osman Trumës.
Atentati ndaj Saliut ndodhi pas ndarjes së bandës së Durrësit në dy grupe rivale, njëri i drejtuar nga Lulzim Berisha dhe tjetri nga vetë Saliu. Indrit Taullai e Luftar Reçi akuzohen në të dyja episodet.


