Një person i armatosur, i dyshuar për vrasjen e gjashtë personave në Krakov, ka vdekur në spital, ka njoftuar policia polake, raporton BBC.
24-vjeçari, i cili sipas zyrtarëve dyshohet se është frymëzuar nga “ideologjitë e ekstremit të djathtë”, mbeti i plagosur pasi hapi zjarr të shtunën në qendër të Krakovit – qyteti i dytë më i madh në Poloni.
Zyrtarë të armatosur policie mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe u përfshinë në një shkëmbim zjarri me të dyshuarin. Ai u qëllua brenda tre minutash nga fillimi i sulmit, gjë që parandaloi një masakër më të gjerë, thonë zyrtarët.
Policia e Krakovit njoftoi se i dyshuari ka ndërruar jetë herët në mëngjesin e së hënës.
Pas të shtënave, të cilat nisën pak para orës 15:00 me orën lokale në sheshin kryesor të tregut në Krakov – një zonë shumë e frekuentuar – policia e identifikoi sulmuesin si shtetas polak 24-vjeçar, por nuk e bëri të ditur emrin e tij.
Në orët pas ngjarjes, një ministër deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se ai ishte frymëzuar nga “ideologjitë e ekstremit të djathtë”. Ministri e përshkroi atë gjithashtu si një “ultranacionalist”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Gjashtë persona – katër gra dhe dy burra – janë konfirmuar të vrarë në këtë sulm.
Katër prej viktimave janë polakë, ndërsa mes të vrarëve kishte edhe një shtetas britanik dhe një grua austriake.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, bëri të ditur se në shtëpinë e të dyshuarit, gjatë kontrollit të kryer pas sulmit, u gjetën trupat e tre personave – dy gra dhe një burrë.
Të dielën, policia polake konfirmoi se këto tri viktima ishin identifikuar si babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 21-vjeçare e të dyshuarit.
Mediat polake raportojnë se i dyshuari zotëronte leje për armë zjarri dhe se armët mund t’i ketë marrë nga shtëpia e familjes së tij.


