Ka ardhur koha për veprim, për ndërtimin përfundimtar të një unifikimi politik maqedonas dhe multietnik të qëndrimeve për ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe garancitë themelore juridike, pa të cilat nuk mund të bëjmë hap përpara drejt anëtarësimit të plotë në BE. Kështu porosisin organizatorët e “Platformës 12:05” pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian.
Sipas tyre, paralajmërimet e BE-së për integrim gradual janë shans që Maqedonia t’i bashkohet sërish grupit me Malin e Zi dhe Shqipërinë. Por, për këtë duhet t’i zbatojë reformat, si futja urgjente e një njësie të vetme zgjedhore dhe e listave të hapura.
Propozim konkret për luftën kundër korrupsionit
Ish-funksionarët e LSDM-së dalin me propozim konkret për luftën kundër korrupsionit:
“Zbatimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që do të parandalojnë parashkrimin e ndjekjes penale për veprat penale të korrupsionit politik të kryera nga personat e zgjedhur dhe të emëruar;
Hetimi i prejardhjes së pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të të gjithë personave të zgjedhur dhe të emëruar, aktualë dhe të mëparshëm, si dhe të familjeve të tyre të ngushta”, porosisin organizatorët.
Mesazh për VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në
Ata kanë mesazh si për VMRO-DPMNE-në, ashtu edhe për LSDM-në.
“Mbijetesa dhe ekzistenca e korrupsionit të lartë politik nuk mund të kritikohet nga autorët e ndryshimeve skandaloze të Kodit Penal në vitin 2023, për të cilat Komisioni Evropian edhe në vitin 2026 ka vërejtje serioze, e kjo ka të bëjë si me partitë e pushtetit aktual, ashtu edhe me opozitën”, thonë organizatorët e “Platformës 12:05”.
Kritika për politikën ekonomike të Qeverisë
“Jashtëzakonisht shqetësuese janë të dhënat për rënien dramatike të kthimit të TVSH-së ndaj ekonomisë, të evidentuara në Raport. Qeveria, nga 100 denarë TVSH të mbledhura, brenda afatit të paraparë me ligj kthen vetëm 14,3 denarë, me çka, edhe sipas standardeve të BE-së, është pushteti ekzekutiv me performancën më të dobët ekonomike”, thonë ata.
Kampit politik shqiptar: Mos e keqpërdorni raportin për tema etnike
“Kampet politike shqiptare kanë obligim të dalin nga spiralja e akuzave të ndërsjella për çështje rreptësisht etnike, të krijimit të problemeve identitare, për t’i keqpërdorur më pas në llogaritë e tyre të ndërsjella politike, pas të cilave në fakt fshihen interesa biznesi dhe tenderësh”, porosisin nga Platforma.
Mesazh për LSDM-në dhe Venko Filipçen për raportin me mediat
Ish-funksionarët kanë mesazh edhe për LSDM-në dhe Venko Filipçen lidhur me qëndrimin ndaj mediave.
“Lirinë e medias nuk mund ta mbrojnë ata që çdo ditë e ndotin diskursin publik me fjalor të ulët dhe me shpërndarje shpifjesh e fyerjesh ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, thonë organizatorët.
Ata e përshëndesin përqindjen e lartë të qytetarëve që janë për BE-në, pavarësisht të gjitha lëshimeve, zhgënjimeve dhe sfidave. Politikanëve u porosisin se askush nuk mund t’i përvetësojë monopolin mbi patriotizmin maqedonas dhe askush nuk ka të drejtë ekskluzive mbi integrimet evropiane.


