Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka kërkuar forcimin e marrëdhënieve ndërmjet bashkësive etnike dhe avancimin e politikave ndërkulturore, gjatë takimit konsultativ për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Ndërkulturalizmin dhe Kohezionin Social 2027–2032, përcjell TV21. Ai theksoi se strategjia duhet të përmbajë masa konkrete, objektiva të qarta dhe tregues të matshëm, si dhe të garantojë barazi dhe përfaqësim të drejtë të të gjitha bashkësive.
“Interkulturalizmi dhe kohezioni social janë parakushte thelbësore për zhvillimin demokratik, stabilitetin institucional dhe shoqëror, si dhe për avancimin e perspektivës evropiane të vendit. Vizioni ynë është ndërtimi i një shteti të barabartë, në të cilin dallimet etnike, fetare dhe sociale përfaqësojnë pasuri dhe vlerë të shtuar për shoqërinë”, deklaroi Ferati.
Ai shtoi se Ministria është e përkushtuar që strategjia të mos mbetet vetëm dokument orientues, por të shndërrohet në veprime institucionale dhe politika konkrete që do të sjellin ndryshime në shoqëri.


