Aktivisti i njohur pro-demokracisë në Hong Kong, Joshua Wong, është dënuar me 10 vite të tjera burg, pasi u shpall fajtor për bashkëpunim me fuqi të huaja, në bazë të ligjit të sigurisë kombëtare të imponuar nga Pekini.
30-vjeçari, një prej figurave më të njohura të lëvizjes demokratike në Hong Kong, ndodhet në burg që prej vitit 2020. Ai pritej të lirohej në janar 2027, pasi kishte përfunduar një dënim prej 4 vitesh e 8 muajsh për akuzën e përmbysjes së pushtetit.
Por në qershor të vitit 2025, autoritetet e Hong Kongut ngritën ndaj tij akuza të reja, duke e akuzuar se kishte kërkuar mbështetjen e vendeve dhe organizatave të huaja për vendosjen e sanksioneve ndaj Hong Kongut dhe Kinës.
Sipas prokurorisë, Wong kishte bashkëpunuar me aktivistin e mërguar Nathan Law dhe persona të tjerë për të nxitur masa ndëshkuese ndërkombëtare kundër autoriteteve kineze dhe atyre të Hong Kongut. Aktivisti ishte deklaruar fajtor për akuzat në shtator, ndërsa rrezikonte deri në burgim të përjetshëm.
Joshua Wong u bë i njohur që në moshën 17-vjeçare, kur ishte një nga protagonistët e protestave të vitit 2014, të njohura si “Revolucioni i Çadrave”, ku mijëra qytetarë kërkonin më shumë demokraci dhe të drejtën për zgjedhje të lira.
Ai ishte gjithashtu një nga figurat kryesore të protestave masive të vitit 2019 kundër qeverisë së Hong Kongut dhe ndikimit të Pekinit.
Dënimi i ri vjen në kuadër të zbatimit të ligjit të sigurisë kombëtare, të miratuar nga Kina në vitin 2020, i cili ka çuar në arrestimin dhe ndjekjen penale të dhjetëra aktivistëve të opozitës në Hong Kong.


